Maloku pas vdekjes së prokurorit Enver Krasniqi: Humbje e madhe për sistemin e drejtësisë

Maloku pas vdekjes së prokurorit Enver Krasniqi: Humbje e madhe për sistemin e drejtësisë

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka ngushëlluar familjen e prokurorit tashmë të ndjerë, Enver Krasniqi, njofton Insajderi.

Në telegramin e tij të ngushëllimit thuhet se largimi i Krasniqit kaq i papritshëm, është humbje për sistemin e drejtësisë në vend.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e familjarit tuaj dhe kolegut tonë të nderuar, Prokurorit të Shtetit, z. Enver Krasniqi. Largimi i z. Enver Krasniqit nga kjo botë papritmas nuk është humbje vetëm për familjen Tuaj, por përgjithësisht edhe për sistemin e drejtësisë në vendin tone”, ka shkruar ai.

“Me këtë rast, më lejoni që në emrin tim personal dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës t’ju shpreh dhimbjen e madhe dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta për Ju si familje, për të afërmit, kolegët dhe bashkëpunëtorët e Prokurorit Krasniqi”.

“Prokurori Enver Krasniqi ishte shembull i vlerave të larta njerëzore dhe ndershmërisë, i cili më përkushtim, dinjitet dhe profesionalizëm të lartë i shërbeu institucionit dhe vendit të tij”, thuhet në telegramin e tij të ngushëllimit.

Prokurori Enver Krasniqi ndërroi jetë të mërkurën. Ai ishte prokuror në rastin e hetimit të vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. /Insajderi.com