Manastiri i Deçanit renditet ndër objektet e rrezikuara në Evropë, reagon Janjiq

Manastiri i Deçanit renditet ndër objektet e rrezikuara në Evropë, reagon Janjiq

Federata pan-evropiane Europa Nostra e ka radhitur Manastirin e Deçanit si një nga shtatë objektet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore.

Pas këtij njoftimi ka reaguar Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili tha se ky rangim do të kthejë vëmendjen drejt këtij objekti fetar për ta mbrojtur atë.

Kështu u shpreh ai me anë të një postimi në Twitter, ku tha se shpreson që ky rangim do të rrisë ndërgjegjësimin se trashëgimia kulturore ka për qëllim bashkimin dhe jo largimin.

“Jam shumë i nderuar që Manastiri i Deçanit është në listën e shtatë objekteve më të rrezikuar. Jam thellësisht i bindur se do të kontribuojë ndjeshëm në mbrojtjen e trashëgimisë sonë të pacenueshme në Kosovë dhe do të rrisë ndërgjegjësimin se trashëgimia kulturore ka për qëllim të na bashkojë më shumë sesa të na largojë”, ka shkruar ai.

Europa Nostra është një Federatë pan-evropiane për trashëgiminë kulturore, që përfaqëson organizatat e qytetarëve që punojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. /Insajderi.com