Manastiri i Deçanit shpërndan artikullin serb: Dialogu ndërlikohet nëse nuk negociohet për Kishën Ortodokse Serbe

Manastiri i Deçanit shpërndan artikullin serb: Dialogu ndërlikohet nëse nuk negociohet për Kishën Ortodokse Serbe

Manastiri i Deçanit ka shpërndarë një artikull të mediumit serb “Blic”, ku thuhet se kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që çështja e Kishës Ortodokse Serbe për të mos qenë pjesë e negociatave në Bruksel, e ndërlikon dialogun, transmeton Insajderi.

“Ai vazhdimisht ua përsërit zyrtarëve ndërkombëtarë se kjo është “ekskluzivisht një çështje lokale” dhe se nuk kemi nevojë ta ngrisim këtë çështje në një nivel më të lartë”, thuhet në këtë artikull.

Tutje në shkrimin e publikuar nga mediumi serb thuhet se kjo kërkesë e Kurtit tenton që ta “zhbëjë” traditën serbe në Kosovë.

“’Zgjidhja’ e çështjes së Kishës Ortodokse Serbe vetëm brenda institucioneve të përkohshme praktikisht do të thotë moszgjidhje e problemeve reale të akumuluara dhe zhbërje të Kishës Ortodokse Serbe dhe traditës serbe në ‘Kosovë dhe Metohi’, si dhe largim të institucionit të vetëm serb në ‘Kosovë dhe Metohi’ që ekziston në të gjithë territorin”, është citati i shkëputur nga artikulli që u shpërnda nga Manastiri i Deçanit në llogarinë zyrtare në Twitter. /Insajderi.com