Mandl: Njohja nga Izraeli sinjal për shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën

Mandl: Njohja nga Izraeli sinjal për shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka përshëndetur zyrtarizimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, njofton Insajderi.

Ai është shprehur se njohja mes këtyre dy vendeve ka një domethënie të madhe për të, ndërsa shtoi se ajo mesazh i qartë për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Meqenëse ndjej miqësi midis Austrisë, Izraelit dhe Kosovës, ky hap do të thotë shumë për mua. Gjithashtu është një sinjal i qartë për ato shtete anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Kosova dhe Izraeli formalizuan sot marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera./Insajderi.com