Humbja e Bashkimit Demokratik për Integrim në Komunën e Bogovinës ka bërë që ata përmes policisë, të ndalojnë punimet e projektit për ujë të pijshëm në fshatin Siniçan, të kësaj komune, akuzoi sot partia opozitare Aleanca për Shqiptarët.
“Kryetari i Bogovinës, Albon Xhemaili, sot është marrë në pyetje në stacionin policor, ku i është tërhequr vërejtja dhe është kërcënuar për ndërprerje të menjëhershme të punimeve për ujësjellësin e Siniçanit”.
“Në të kundërtën, nëse nuk ndërpriten punimet, Albon Xhemaili do të arrestohet. Punimet për ujësjellësin janë ndërmarrë në përputhje me të gjitha procedurat juridike, prandaj kjo sjellje e policisë nuk mund të cilësohet si gjë tjetër përpos se një hakmarrje e BDI-së të cilët shfrytëzojnë ministrin teknik nga radhët e BDI-së Agim Nuhiu si instrument për qëllime të caktuara keqdashëse”.
“Kjo sjellje e cila dëmton banorët e Siniçanit dhe jo vetëm, është absolutisht e pa pranueshme për ne prandaj kërkojmë ndërhyrje të organeve kompetente me qëllim që rasti në fjalë të zbardhet dhe punimet të vazhdojnë pa kërcënime nga ana e policisë”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Më tej ata akuzojnë se njëjtë edhe në Haraçinë, nga MPB është bërë bastisje në familjen Nebiu, në shenjë hakmarrjeje për humbjen e tyre.
“Këto kërcënime dhe presione fatkeqësisht vijnë menjëherë pas emërimit të Agim Nuhiut si ministër i MPB-së. Kjo edhe njëherë dëshmon shfrytëzimin e pushtetit për qëllime partiake nga ana e funksionarëve të BDI-së”.
“Pyesim ministrin kush e ka radhën për t’u kërcënuar? Kumanova, Vrapçishti apo Gostivari e Tetova? I bëjmë apel ministrit shqiptar të ‘MILICISË’ së BDI-së, larg duart nga shqiptarët! Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi nga SPB Tetovë dhe ministri Nuhiu për kërcënimet ndaj cilit do funksionarë të Aleancës për Shqiptarët”.
“Ndërkaq i njoftojmë edhe ambasadat në vend, se me çfarë represioni politik ballafaqohen banorët e këtyre fshatrave, të cilëve iu ndalohet kushti elementar për jetesë, siç është uji”, thonë nga ASH-ja./Insajderi.com