Ministri i Shëndetësisë  i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar se sot arrijnë 10 mijë vaksina Pfizer.

Maqedoni e Veriut: Arrijnë 10 mijë vaksina Pfizer dhe 20 mijë Sputnik

Maqedoni e Veriut: Arrijnë 10 mijë vaksina Pfizer dhe 20 mijë Sputnik

Ministri i Shëndetësisë  i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar se sot arrijnë 10 mijë vaksina Pfizer.

Në anën tjetër, një kontigjent i vaksinave ruse Sputnik ka arritur të shtunën dhe një tjetër pjesë arrin më vonë, duke bërë që gjithsej 20 mijë vaksina Sputnik t’i shtohen procesit të imunizimit në vendin fqinj, njofton Insajderi.

Më tej, deri në fund të muajit pritet të arrijnë 26 mijë vaksina Pfizer.

“Të shtunën , në mbrëmje vonë praktikisht të dielën në mëngjes arriti sasia e parë e 20 000 vaksinave “Sputnik”, ku  7 000 do të përdoren për rivaksinim të kontigjentit kritik, ndërsa të tjerat do të arrijnë gjatë ditës. Sot arrijnë edhe 10 000 vaksina nga Fajzer, përmes marrëveshjes tonë të drejtpërdrejtë çdo të hënë do të arrijnë nga 4000-7000 vaksina, gjithsej 26 000 këtë muaj. Duhet të arrijë edhe një sasi e caktuar përmes sistemit të solidaritetit të BE-së përmes Austrisë”, tha ministri maqedonas, Venko Filipçe.

Në maj siç njoftoi ministri, pritet sasia më e madhe e vaksinave, respektivisht 500 mijë vaksinat kineze Sinovac.

Filipçe tha se ka disa pika vaksinimi mbarë vendit, ku ka frigoriferë vaksinash për Pfizerin, dhe ato po shpërndahen edhe në qendrat përreth, ndërsa në këtë mënyrë siç shtoi, shtëpitë e shëndetit në pajtim me numrin e qytetarëve të paraqitur për t’u vaksinuar, çdo mëngjes do të tërheqin sasi të vaksinave për pikat e vaksinimit në Kumanovë, Shtip, Ohër, Tetovë dhe Kavadar.

Në mënyrë shtesë, ai tregoi se po përgatisin dhe pajisen sallat e shkollave në Ohër, Shtip, Manastir, ndërsa të tjerat do të përfundojnë deri në fund të javës, në mënyrë që të sistemohen 200 mijë vaksinat që duhet të vijna nga Kina.

Për vaksinat nga Kina, ai tha se më 28 prill duhet të nisen nga Pekini, më 30 prill përmes Stambollit të arrijnë në Beograd, ndërsa më pas përmes një zinxhiri kamionësh do të arrijnë në Shkup. /Insajderi.com