
E diela shpallet ditë pushimi në Maqedoninë e Veriut. Këtë e bëri të ditur kryeministri i shtetit fqinj Zoran Zaev, pas mbledhjes së mbajtur të Qeverisë. Kjo masë do të hyjë më 1 tetori.
Siç tha Zaev, për punëdhënësit që nuk do e respektojnë këtë ligj janë paraparë edhe dënime. Ndërsa ata punëdhënës që nuk mund të kenë ndërprerje të punës, ditën e diel që punohet duhet ta paraqesin tek Inspektorati Shtetëror i Punës, i cili do ta mbikëqyr mbarëvajtjen e këtij procesi.
“Me kujdesin e madh në sjelljen e kësaj rregullative ligjore, treguam se gjithë ne së bashku kujdesemi gjithashtu në pjesën e shqiptimit të denimeve, për mos respektim të rregullativave të ligjit, për të cilin janë paraparë sanksione, me çka mund të shqiptohet ndalim i kryerjes së veprimtarisë së punës, ose kundërvajtje”, tha Zaev.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ata të punësuar që do ta punojnë ditën e diel, duhet të marrin mëditje dhe një ditë të lirë brenda javës.