Ende nuk ka asgjë konkrete se si do të fillojë ky vit shkollor për nxënësit e Maqedonisë së Veriut, nëse ata do të kthehen ose jo në bankat e shkollës.
Nga dikasteri i arsimit thonë se gjendja epidemiologjike do të diktojë veprimet që do të ndërmerren. Në bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse në Maqedoninë e Veriut, në bankat e shkollës në shtator pritet të ulen vetëm nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë, afërsisht fëmijët deri në moshën 10 vjeçare, përderisa nxënësit e tjerë rekomandohet që mësimin ta ndjekin online, megjithëse kanë shtuar se ky propozim për të ndjekur mësimin në distancë nuk i përfshinë të gjitha shkollat në komuna të ndryshme të shtetit.
Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se në rend të parë është shëndeti i nxënësve dhe arsimtarëve, megjithëse shton se jo të gjitha shkollat në rajone të ndryshme të vendit kanë kushte të njëjta, andaj sipas tij, mësimi në shkolla të ndryshme të vendit, duhet përshtatur me rrethanat që imponon gjendja epidemiologjike.
“Të gjithë e kemi të qartë se kushtet për punë nuk janë të njëjta në të gjitha shkollat në nivel kombëtar, andaj sipas meje nuk duhet të unifikohet një model i vetëm i mësimit për të gjitha shkollat. Shkollat dallojnë në shumë aspekte në rajone të ndryshme, e para është numri i të infektuarve në rrethe të caktuara, më pas kemi shkolla që janë të mbipopulluara, por ka shkolla që kanë numër shumë më të vogël të nxënësve. Për ne si sindikatë do të jetë më e pranueshme ai model që do të jetë më i përshtatshëm në nivel lokal”, tha ai. /Insajderi.com