Në Maqedoninë e Veriut nga nesër hyjnë në fuqi vendimet për zbutjen e masave anti-covid, përkatësisht heqja e maskave në ambientet e hapura, grupimi i njerëzve, lejimi i dasmave e të tjera.
Por, orë policore do të ketë edhe në dy javët e ardhshme. Shtabi Qendror i Krizës së vendit fqinj në mbledhjen e sotme ka pranuar të gjitha rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive të RMV-së dhe të njëjtat i propozon për miratim në seancë e nesërme të Qeverisë së shtetit fqinj, raporton Insajderi.
“Nga 1 qershori lejohet heqja e maskës në hapësirat publike, me rekomandim që maska të mbahet nëse numri i personave është më i lartë se 6 persona. Mbetet në fuqi masa që maska të mbahet në transportin publik, taksi dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura, si shtëpitë e mallrave, dyqanet e qendra të mbyllura”, thonë nga qeveria e RMV-së.
Në mbledhjen e Shtabit të Krizës të shtetit fqinj duke marrë parasysh uljen drastike të shifrave dhe të rasteve aktive, lejohet publiku edhe në ngjarjet sportive të cilat mbahen në ambiente të hapura deri në 30 për qind, nga kapaciteti i përgjithshëm i vizitorëve, me respektim të distancës mes vizitorëve nga 1.5 deri në 2 metra.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendëshme të Maqedonisë së Veriut sanksionimet do të jenë aktive deri sa të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë dhe bëjnë thirrje te qytetarët që të kenë kujdes për secilën masë anti kovid sepse toleranca ndaj tyre do të jetë zero.