Maqedoni e Veriut, koalicioni opozitar: Zaev ka frikë nga rritja e shqiptarëve

Maqedoni e Veriut, koalicioni opozitar: Zaev ka frikë nga rritja e shqiptarëve

Koalicioni shqiptar opozitar në Maqedoninë e Veriut Aleanca për Shqiptarët & Alternativa ka reaguar për komentet e fundit të kryeministrit të këtij shteti, Zoran Zaev, për çështjen e propozim-ligjit për shtetësinë, njofton Insajderi.

Partitë opozitare theksojnë se në kohën kur presin që të thirret seanca për miratimin e propozim-ligjit për shtetësinë, në vend se të jepet sugjerime dhe propozime, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, deklaroi se “me tre dëshmitarë lidhet martesë, por nuk merret shtetësi”.

“Sado që ky cinizëm i tij është pa shije, por edhe i paqëndrueshëm, sepse kjo është një praktikë që deri vonë ka shërbyer si mjet juridik, megjithatë deklarata e tij më shumë flet me nëndijen e tij sesa me vetëdijen atij. Kjo e nxjerrë sheshazi frikën e tij se mos me këtë ligj po rritet numri i shqiptarëve. Prandaj atij, realisht, nuk i pengon numri i dëshmitarëve, por numri i shqiptarëve”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët & Alternativa.

Koalicioni i bën thirrje kryeministrit që bashkë me partnerët e tij ta pranojë propozim-ligjin e këtij koalicioni, sepse ky është në interes të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm në interes të shqiptarëve.

Sipas partive opozitare, nëse ka mospajtime me tekstin e propozim-ligjit, ata janë të gatshëm të diskutojnë dhe në seancën përkatëse, përmes amendamenteve dhe të dakordohen pë tekstin përfundimtar.

Aleanca për Shqiptarët & Alternativa thekson edhe një herë se cinizmi dhe ironia nuk i ndihmojnë kryeministrit për ta mbuluar ose ushqyer frikën se mos disa shqiptarë marrin shtetësi.

Koalicioni thekson se nëse Zaev dhe partia e tij dëshirojnë të dëshmojnë se janë vërtet për shtet qytetar pa diskriminim të askujt në asnjë bazë, ky propozim-ligj është një test i mirë pikërisht për këtë. /Insajderi.com