Maqedoni e Veriut, kush e ndihmoi Mijallkovin të arratiset?

Maqedoni e Veriut, kush e ndihmoi Mijallkovin të arratiset?

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut  ka shfaqur sot dyshime se ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov ka qenë i ndihmuar për të arratisur, njofton Insajderi.

Kjo thuhet në kumtesën zyrtare në të cilën prokuroria në detaje ka shpjeguar itinerarin e vendimeve dhe masave që janë shqiptuar, komunikimin me policinë dhe gjykatën dhe ndjekjen e Mijallkovit deri në momentin e arratisjes.

Në kumtesë thuhet se pas përfundimit të seancës për rastin Target-Fortesë nuk ka pasur indice se Mijallkov planifikon të arratiset, por edhe përkundër kësaj, me qëllim që të ndërmerren masa preventive e kanë njoftuar ministrinë e punëve të brendshme të Maqedonisë së Veriut për përfundimin e seancës kryesore.

“Indicet e para se mund të përgatitet ikja e të akuzuarit Sasho Mijallkov, Ministria e Punëve të Brendshme i ndau me Prokurorinë më 20.02.2021 (e shtunë) në ora 23:00.

Të dielën në mëngjes pas kontrolleve të kryera të detyrueshme, është përgatitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Në ora 12:00 me qëllim sigurimin e kushteve për pranimin e propozimit për paraburgim, prokuroria e njoftoi Gjykatën Penale Themelore – Shkup për propozimin e përgatitur, ashtu si edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme” thonë nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut.

Pas përfundimit të procedurave administrative, prokurorët e lëndës në ora 14:30 janë drejtuar për në Gjykatën penale në Shkup ku në ora 15:00 propozimi për caktimin e masës së paraburgimit është pranuar nga gjykata dhe me vendim, të akuzuarit Sasho Mijallkov i është caktuar masa e paraburgimit shtëpiak dhe mbikëqyrje 24 orëshe me video dhe audio.

Nga prokuroria thonë se vendimi është pranuar rreth orës 18:45. Ndërkohë, pas pranimit të vendimit prokurorët publik janë njoftuar nga persona zyrtarë të MPB-së se kanë kontakt vizual me Mijallkovin dhe se ai nuk është arratisur.

Por, pas kësaj periudhe janë paraqitur shenjat e para për zhdukjen e Mijallkovit dhe pas konstatimit të arratisjes së tij, Prokuroria ngre dyshime se ka pasur edhe dikush që i ka ndihmuar në këtë situatë.

“Rreth orës 21:00 prokuroria është njoftuar se ka problem me dorëzimin e vendimit për paraburgim, pas çka më 21:47 është konstatuar se i akuzuari Mijallkov nuk është gjetur. Duke pasur parasysh faktin se në momentin e përgatitjes së propozimit për caktimin e masës së paraburgimit, si edhe në momentin e dorëzimit të saj deri në gjykatë, i akuzuari Mijallkov nuk ka qenë në arrati, prokuroria vlerëson se ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale ndihmë të kryerësit të veprës penale nga neni 365 i Kodit penal për çka do ti ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e dyshimeve të këtilla” pohojnë nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së veriut./Insajderi.com