Maqedoni e Veriut: Marrëveshja me Bullgarinë, përplasje në Kuvend

Maqedoni e Veriut: Marrëveshja me Bullgarinë, përplasje në Kuvend

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se nuk mendon se është gabim nënshkrimi i Marrëveshjes me Bullgarinë, teksa vlerëson se është një akt historik arritja e marrëveshjes me një fqinj.

Pritjet e tij janë që politikat e ardhshme në periudha të arsyeshme, jashtë aktiviteteve elektorale, të sjellin një zgjidhje, e cila është më interes për të dy popujt dhe të dy vendet.

“As atëherë as tani, nuk kam menduar dhe nuk mendoj se miratimi i Marrëveshjes për Fqinjësisë të Mirë me Bullgarinë është një gabim, përkundrazi, mendoj se është një akt historik arritja e marrëveshja me një fqinj. ‘Historia e përbashkët’ është një formulim serioz për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët”, tha kryeministri Zaev gjatë pyetjeve të deputetëve në Kuvend.

Deputeti dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, sot tha se qeveria bëri gabim duke nënshkruar marrëveshje me Bullgarinë.

“Unë mendoj se është një gabim i madh, marrëveshje nga e cila varet drejtpërdrejt perspektiva evropiane dhe Borissovit dhe cilit do kryeministër të ardhshëm bullgar, i jepet mundësia ta bllokojë Maqedoninë. Është një gabim absolut dhe është e papranueshme në Ballkan të bësh një gabim të tillë”, theksoi Nikolloski. /Insajderi.com