Maqedoni e Veriut – Marrëveshja për koalicion sonte kalon filtrat partiakë

Përveç se Talat Xhaferi mbetet kryetar i Kuvendit, tani për tani zyrtarisht nuk zbulohen vendimet për vendet e ministrave.

Maqedoni e Veriut – Marrëveshja për koalicion sonte kalon filtrat partiakë

Trupat më të lartë partiakë të LSDM-së dhe të BDI-së sot duhet ta konfirmojnë marrëveshjen për formimin e koalicionit qeveritar në Republikën e Maqedonisë së Veriut që dje e arritën liderët e dy partive Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, njofton korrespodenti i Gazetës Online Insajderi në Maqedoninë e Veriut, Urim Hasipi.

LSDM-ja do të mbajë seancë të Këshillit qendror sonte në ora 20:00, ndërsa paraprakisht pritet të mblidhen edhe anëtarët e Këshillit ekzekutiv.

Lideri i partisë dhe mandatar Zaev dje në një deklaratë për media pas takimit me Ahmetin paralajmëroi se për marrëveshjen e arritur do të referojë para organeve më të larta të partisë, ndërsa do t’i informojë edhe partnerët nga koalicioni “Mundemi”, si dhe PDSH-ja, të cilët do të përfshihen në koalicionin qeveritar.

Një pjesë e koalicionit “Mundemi” janë partitë Besa, Partia liberale-demokratike, RDM etj.

BDI-ja tani më paralajmëroi se për në ora 18:00 në Tetovë është caktuar takim i Këshillit të përgjithshëm të partisë në të cilën do të bisedohet për zgjedhjet më 15 korrik, ndërsa Ahmeti do të informojë për marrëveshjen për koalicion me LSDM-në.

Pas takimit është paralajmëruar deklaratë e Ahmetit.

Përveç se Talat Xhaferi mbetet kryetar i Kuvendit, tani për tani zyrtarisht nuk zbulohen vendimet personale për vendet e ministrave.

Shumica në Parlament, me votim për zgjedhjen e kryetarit, pritet të konfirmohet më së voni deri të premten.

Xhaferi ende nuk është deklaruar kur do ta caktojë vazhdimin e seancës konstitutive.

Tani për tani nuk dihet kur Zaev do ta publikojë përbërjen e Qeverisë së re.

Ai dje kumtoi se ndryshime do të ketë dhe se në Qeverinë e re nuk do të ketë ministra pa dikaster./Insajderi.com