Maqedoni e Veriut: Nga 1 qershori pa maska, lejohet organizimi i dasmave me 100 të ftuar

Maqedoni e Veriut: Nga 1 qershori pa maska, lejohet organizimi i dasmave me 100 të ftuar

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko FIlipçe, ka thënë se në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Infektive të këtij vendi është vendosur që të miratohen disa masa të reja.

Nga 1 qershori maskat nuk do të jenë të detyrueshme në ambient të hapur dhe gjithandej ku mund të mbahet distanca.

Po ashtu, nuk do të vlejë më ndalimi për grumbullime në hapësirë të hapur, megjithatë rekomandohet që nëse janë më tepër persona të mbahen maskat mbrojtëse.

Do të lejohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve në të hapur me kapacitet në maksimum prej 50% të pjesës së hapur, por jo më shumë se 100 mysafirët. Numri maksimal në një tavolinë të jetë gjashtë.

Ora policore mbetet në fuqi, raporton Insajderi.

“Gjatë kësaj dhe javës tjetër Komisioni për sëmundje infektive në bashkëpunim me organizatorët e ngjarjeve do të punojë në precizimin e protokolleve për mbajtjen e ngjarjeve dhe koncerteve në ambient të hapur, ndërsa pas 15 qershorit sipas protokolleve të dakorduara do të lejohet organizimi i ngjarjeve të tilla”, ka thënë Filipçe. /Insajderi.com