Kryetari i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vazhdon të sfidojë pushtetin aktual në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se shumë shpejtë do të humbin shumicën dhe se në Kuvend së shpejti do të krijohet shumicë e re parlamentare, njofton Insajderi.
Mickoski ka kërkuar nga gazetarët dhe opinion që të kenë durim dhe është i bindur se koha do të tregojë se kush ka pasur të drejtë, ai apo oponentët e tij.
“Shpresoj se nuk prisni që të gjithë ata me të cilët bisedojmë të dalin edhe publikisht dhe të thonë se cila do të jetë procedura për rrënimin e Qeverisë, të thonë se po ne jemi këtu dhe do të jemi pëllumba të makinerisë dhe instrumenteve të Zoran Zaevit për presion dhe kushtëzim e kështu me radhë. Me siguri nuk jemi as ne dhe as ata naiva. Të presim, do të dëshmojë koha çfarë pason së shpejti dhe nëse kam qenë unë në të drejtë ose ka qenë dikush tjetër”, ka deklaruar Hristian Mickoski.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pas paralajmërimeve nga partia më e madhe në opozitë se tanimë kanë siguruar 61 vota për të rrëzuar Qeverinë aktuale, ndërsa tani punojnë për të rritur numrin e deputetëve në 65.
Deklarata të këtilla nga kampi opozitar vijnë për të disatën ditë me radhë. Këto zëra janë hedhur nga partia më e madhe në pushtet, LSDM dhe lideri i saj, Zoran Zaev, i cili siguron se nuk ka ndasi brenda partnerëve të koalicionit dhe se shumica është stabile. /Insajderi.com