Maqedoni e Veriut, paralajmërohet hapja e restauranteve të dasmave në fund të majit

Maqedoni e Veriut, paralajmërohet hapja e restauranteve të dasmave në fund të majit

Nëse pasqyra epidemiologjike do të vazhdojë të jetë e njëjtë me përmirësime në Maqedoninë e Veriut, restaurantet për organizimin e dasmave do të hapen në fund të majit, ose në fillim të qershorit. Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi,  i cili përsëriti qëndrimin e tij sa i përket hapjes së restoranteve për organizimin e ahengjeve familjare,shkruan Insajderi.

Ndërsa, hapja e tyre dhe funksionimi do të bëhet në bazë të protokolleve që do t’i përgatitë Komisioni për Sëmundje Infektive në vendin fqinj.

“Ne nuk kemi paralajmëruar se në këtë moment do i hapim ato, por sigurisht që kjo do të rishikohet dhe me shumë gjasë nëse e kemi pasqyrën e njëjtë epidemiologjike do ta bëjmë një paralajmërim të këtillë, në pajtim me protokollet që do të përgatiten nga Komisioni për Sëmundje Infektive, diku në fund të majit ose fillim të qershorit. Po ashtu do ta paralajmërojmë edhe mënyrën se si ato do të funksionojnë”, deklaroi Bekteshi.

Ndërkaq, prej sot sipas vendimit të Qeverisë  së Maqedonisë së Veriut, ora policore do të fillojë nga ora 24:00, ndërsa do të zgjasë deri në orën 4:00 të mëngjesit.

Megjithatë Qeveria e vendit fqinj më herët kishte paralajmëruar se për festën e Bajramit midis 12 dhe 13 majit, sikur edhe për Pashkët midis 1 dhe 2 majit, nuk do të ketë orë policore, prandaj ky orar i lëvizjes do të vlejë nga 13 maji.

Në përputhje me këtë, koha e lejuar për punë e objekteve gastronomike për punë me vizitorë/mysafirë në pjesën e hapur të objektit gastronomik (vetën terraca veror, kopshte dhe jo në pjesën e mbyllur) është deri në orën 23:30”.

Të gjitha ngjarjet dhe evenimentet mund të mbahen në përputhje me protokollet e dedikuara, deri më 30 përqind të kapacitetit të hapësirës së mbyllur. Protokolli i dedikuar për fëmijët nën kujdes në kopshtet e fëmijëve të ndryshohet, gjegjësisht lejohet rritja e numrit të fëmijëve nga 15 deri në 20 në një grup. Në mënyrë shtesë do të hapen edhe sallat për ushtrime, qendrat e fitnesit dhe palestrat sportive.

Këto masa do të vlejnë deri në 18 maj 2021. /Insajderi.com