Maqedoni e Veriut: Përbërja e organeve të punës të komisioneve kuvendore sot në seancë plenare

Maqedoni e Veriut: Përbërja e organeve të punës të komisioneve kuvendore sot në seancë plenare

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot duhet ta mbajë seancën në rend dite të së cilë do të jetë zgjedhja e përbërjes së trupave të punës në Kuvend.

Seancën të premten e paralajmëroi  kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërsa tashmë është paralajmëruar edhe në ueb faqen kuvendore.

Përbërja e trupave të punës kaloi edhe në seancë të Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, në të cilën ishte potencuar se është arritur konsensus midis grupeve të deputetëve në Kuvend.

Në rend dite të kësaj seance  është edhe verifikimi i mandatit të deputetit  në vendin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpanska.

Sipas Xhaferit, në këtë seancë nuk ka mundësi  për pika tjera  në rend dite  sepse materialet paraprakisht  duhet të kalojnë në komisionet e caktuara përkatëse. Propozim-vendimi  për zgjedhje të kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe  zëvendësve të tyre në komisionet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të premten ishte miratuar në Komisionin kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Për miratimin e vendimit votuan edhe deputetët e opozitës, të cilët paraprakisht patën vërejtje se Komisioni nuk mund të japë propozime për përbërje personale të komisioneve të tjera kuvendore sepse, siç theksuan, Kuvendi paraprakisht në seancë parlamentare nuk ka marrë vendim për krijimin e tyre dhe definimin e kompetencave.

Të premten në deklaratë për mediat Xhaferi theksoi se Kuvendi duhet t’i formojë trupat e punës  dhe se pa ato nuk mund të vazhdojë  në punën dhe funksionimin e mëtutjeshëm. /Insajderi.com