Maqedoni e Veriut, shqiptarët sërish kërkojnë drejtësi në rrugë

Maqedoni e Veriut, shqiptarët sërish kërkojnë drejtësi në rrugë

Familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” do t’i prijnë protestës së thirrur për të premten që do të fillojë nga Parku i Çairit në Maqedoninë e Veriut dhe do të përfundojë para Prokurorisë së Përgjithshme, për të kërkuar drejtësi në këtë proces gjyqësor, njofton Insajderi.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, njëri nga familjarët Bedri Ajdari, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Organizativ, ka shprehur pakënaqësinë ndaj prokurores Fatime Fetai, si dhe ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës.

“Të nderuar vllezër e motra, para disa ditëve prokurorja e rastit ‘Monstra’, Fatime Fetai, e përmbylli fjalën e saj përfundimtare me akuzën se, të akuzuarit jane fajtor për vrasjen e pesfishtë tek Liqeni i Smilkovës, madje duke i akuzuar për vepër teroriste duke i qëndruar besnike shefes së saj Gordana Jankulloska dhe prokurores së parë Gordana Geshkoska. Prandaj, në emrin tim personal si kryetar i Këshillit Organizativ për rastin ‘Monstra’ dhe të familjarëve të të burgosurve, i ftojmë të gjith shqiptarët (pa marrë parasysh bindjet e tyre politike) që të na mbështesin dhe ta ngremë zërin e popullit për drejtësi” tha Bedri Ajdari – familjar.

Ajdari në fund të postimin të tij kërkon nga pjesëmarrësit në protestë që të respektojnë protokollet e mbrojtjes nga virusi COVID– 19, por edhe të jenë të kujdesshëm ndaj provokimeve të mundshme. “Drejtësi dhe asgjë tjetër!”, në shkruan në fund Bedri Ajdari, familjarë i pesë të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës.

Në seancën e fundit ku u thanë fjalët përfundimtare, prokurorja Fatime Fetahi, klasifikoi veprën si vepër terroriste dhe kërkoi dënim me burg të përjetshëm për tre të akuzuar, vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviqin, si dhe Alil Demirin, ndërsa nga 9 deri në 15 burg për Fejzi Azirin dhe Haki Azirin. /Insajderi.com