Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka thënë se gjendja me epideminë është duke u stabilizuar dhe se trendi i të infektuarve ka shënuar rënie, njofton Insajderi.
Megjithatë, ai kërkon kujdes ngase gjendja mund të destabilizohet nëse nuk respektohen masat.
“Para nesh janë festat, ditët e lira dhe koha e mirë. T’i shfrytëzojmë në mënyrë të përgjegjshme të mos grumbullohemi dhe të mos i shkelim masat mbrojtëse. Ka shumë mënyra si ta kalojmë me kualitet kohën në rrethin familjarë me më të afërmit dhe të mbetemi të mbrojtur nga virusi”, ka thënë Filipçe.
Ministri i Shëndetësisë gjithashtu theksoi se nga java e ardhshme do të arrijnë sasi më të mëdha të vaksinave.
“Ju siguroj se shpejt dhe në mënyrë efikase do të vaksinojmë në mënyrë që sa më shpejtë qytetarët do të fitojnë imunitet. Nga ju kërkojë respektim të masave të cilat do të na mbrojnë nga ndonjë valë eventuale pas festave”, ka shkruar Filipçe.
Për gjendjen epidemiologjike pritet që ditëve të ardhshme të analizohet nga Komisioni për Sëmundje Infektive dhe më pas të vendoset nëse do të ketë masa të reja gjatë festave të Pashkëve. Masat e tanishme aktuale për orë policore dhe kufizimet tjera vlejnë deri më 27 prill. /Insajderi.com