Maqedoni e Veriut, Zaev akuzohet se keqpërdori rastin Monstra

Maqedoni e Veriut, Zaev akuzohet se keqpërdori rastin Monstra

Deputeti i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, akuzon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, se e ka keqpërdorur rastin “Monstra”, njofton Insajderi.

Sipas Milloshovskit, Zaev ka pasur për qëllim që të përhap urrejtje ndërfetare. 

“Me vetëdije e ka keqpërorur ‘Monstrën’, e ka keqpërdorur dhimbjen e prindërve të djemve të vrarë në Smillkovë, me qëllim e ka manipuluar opinionin që të shpërndahet urrejtje ndërfetare dhe zemërim, qëllimisht ka plasuar lajme të rreme për porositësit politik të ekzekutimit. Shkurt, Zoran Zaev është monstër” tha Milloshovski.

Një ditë më parë kryeministri i vendit fqinj, Zoran Zaev, është pyetur nga gazetarët nëse ende mban qëndrimin e njejtë, ku kishte deklaruar se dikush tjetër është fajtor për rastin e jo personat që akuzohen.

Kreu aktual i Qverisë së RVM-së tha se çdo herë kur është përgjigjur për këtë rast, edhe pse kanë kaluar shumë vite, ka lënë rezerva duke thënë  se bëhet fjalë për përshtypje të tij, ndërsa çdo herë ka deklaruar se fjalën e fundit e kanë organet gjyqësore të cilët duhet të sjellin vendim.

Në fund, sipas tij, gjykata është ajo që jep vendimin në bazë të argumenteve dhe provave. Ndërsa, kur ishte në opozitë Zaev disa herë kishte paralajmëruar se të ashtuquajturat “bombat” do të zbardhnin këtë rast.

Shumë herë paralajmëronte se posedon materiale të ndjeshme dhe u premtonte qytetarëve se do ta ndaj gjithë të vërtetën për Liqenin e Smillkovës, edhe atë për një periudhë të shkurtër dhe dëshmitë do t’i publikoheshin edhe opinionit. /Insajderi.com