Maqedoni e Veriut, Zaev: Hapi serioz – krijuam imazh të liderit në rajon

Maqedoni e Veriut, Zaev: Hapi serioz – krijuam imazh të liderit në rajon

Përballja me pandeminë dhe pasojat e saj ishte në fokusin kryesor, ndërsa me përkushtim maksimal punojmë edhe në planin e integrimeve.

Këto ishin fjalët e para të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë ekspozesë për 100 ditëshin e parë të Qeverisë ku ishte i shoqëruar nga zëvendësit e tij dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Duke folur për përballjen me pandeminë, Zaev tha se pret që deri në muajt prill dhe maj të përfundojë, ndërsa theksoi hapat që po ndërmerr Qeveria për sigurimin e vaksinave dhe testimin e qytetarëve.

“Ajo që po ndërmarim në planin e brendshëm në luftën kundër pandemisë, është numri i shtuar i testimeve dhe shpejtimi i procedurës për testim, ndërsa janë rritur edhe kapacitetet spitalore për kujdesin e sa më shumë qytetarëve. Për këtë janë vendosur në funksion kapacitetet e më tepër klinikave si qendra të kovidit. Këtu janë edhe kapacitetet private dhe punonjësit shëndetësor që punojnë në ato spitale” tha kryeministri i vendit fqinj, Zoran Zaev.

Vetoja bullgare tha Zaev nuk është as për fajin e Qeverisë dhe as për fajin e qytetarëve. Por, edhe përkundër kësaj, ai u zotua se Qeveria do të mbetet e përkushtuar për përmbushjen e detyrave, zbatimin e reformave dhe dialogun me Bullgarinë pasi sipas tij nuk ka rrugë tjetër përveç kësaj.

“Kjo Qeveri dhe as shteti jonë, as qytetarët nuk kanë fajin më të vogël. Mbajtëm qëndrimin se identiteti maqedonas është e pamundur të bëhet lëndë negociatash dhe nuk do të heqim dorë nga e drejta jonë për vetëpërcaktim, të garantuar me Konventën e OKB-së dhe marrëveshjet e konventat e tjera ndërkombëtare. Pushteti nuk do të lejojë që mossuksesi në rrugën drejtë BE-së për shkak të mosmiratimit të kornizës negociuese të shkaktojë ngecje të reformave të brendshme” tha tutje Zaev.

Kryeministri Zoran Zaev, u zotua edhe për vazhdimin e reformave në drejtësi, gjyqësor dhe prokurori për të siguruar përfundimisht drejtësi për të gjithë qytetarët. Për këtë temë si dhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit fole edhe zëvendës kryeministri Lupço Nikollovski, i cili theksoi se po punohet me përkushtim në rritjen e transparencës së funksionarëve si në pushtetin
qëndror ashtu dhe në pushtetin lokal dhe nivelet e tjera. /Insajderi.com