Maqedoni e Veriut, zgjedhjet lokale mbahen në tetor

Maqedoni e Veriut, zgjedhjet lokale mbahen në tetor

Data e mundshme e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, nuk dihet akoma, edhe pse jozyrtarisht përmendet 17 tetori, shkruan Insajderi.

Partitë politike në vendin fqinj megjithatë thonë se nuk kanë diskutuar për këtë temë, as brenda tyre dhe as në bisedime ndërpartiake.

Sipas partisë maqedonase në pushtet LSDM-së, në fuqi është marrëveshja mes dy liderëve politik mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit që zgjedhjet të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor dhe mbi atë do të merret një vendim me konsensus.

Por, gjysma e dytë e muajit tetor ka tre të diela, 17, 24 dhe 31 tetor.

VMRO-DPMNE-ja nuk komenton 17 tetorin si datë për votimin në rrethin e parë dhe 31 tetorin si rreth të dytë.

“Do të prisnim që data e mundshme e zgjedhjeve të zyrtarizohet. Ka edhe institucione të sistemit që kujdesen për zbatimin e Kodit zgjedhor, si KSHZ-ja dhe kryetari i Kuvendit t’i shpallë ato. Por do të presim që kjo të zyrtarizohet që të mund të artikulojmë qëndrim konkret për këtë çështje”, thonë nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE.

 Nga ana tjetër për në shtator është paraparë edhe regjistrimi I popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Regjistrimi i popullsisë, në bazën e një marrëveshje politike është shtyrë për më datat 5 deri 30 shtator. Kjo ishte arsyeja që ndikoi edhe në zhvendosjen e zgjedhjeve lokale për në gjysmën e dytë të tetorit.

Megjithatë zgjedhjet lokale në këtë vend fqinj  nëse mbahen më 17 tetor, ditët e para të fushatës zgjedhore përkojnë me ditët e fundit të regjistrimit.

Në tetor dhe në fillim të nëntorit përfundon edhe mandati i disa kryetarëve të komunave dhe këshillave komunal në RMV.  Data e përfundimit të mandatit varion për secilin kryetar dhe këshill varësisht datës së verifikimit të mandateve të tyre në vitin 2017./Insajderi.com