Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se sa vaksina do të arrijnë në muajin shkurt, njofton Insajderi.
Edhe pse njëherë nuk e tregonin numrin e dozave, mëngjesin e sotëm ata vendosën të shpalosin këtë informacion.
Në komunikatën dërguar mediave njoftojnë se bëhet fjalë për pesë mijë e 850 vaksina, nga prodhuesi Pfizer. Ndërkaq, dozat e tjera shtojnë se pritet të arrijnë në muajt mars dhe prill.
“Ministri i Shëndetësisë dr. Venko Filipçe, në bisedime të drejtpërdrejta me këtë prodhues, ka siguruar vaksina për gjithë vitin 2021. Marrëveshja është definuar mëngjesin e sotëm në bisedë telefonike të ministrit Filipçe dhe përfaqësuesit të lartë të kompanisë prodhuese të vaksinave kundër Covid-19. 5 850 dozat e para të vaksinave të Fajzerit do të mbërrijnë në shkurt, pastaj vijon dërgesa në sasi më të madhe në mars, prill, ndërsa dinamika për gjithë vitin 2021 në mënyrë shtesë do të konfirmohet” deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së veriut, njofton Insajderi.
Ndaj këtij lajmi reaguan nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, e cila thotë se ministria lavdërohet se përfundimisht i ka siguruar këto vaksina, ndërsa ky numër sipas tyre është i mjaftueshëm për të vaksinuar vetëm një komunë. /Insajderi.com