Maqedonia e Veriut sot vendos nëse do t’i hapë kufijtë për Kosovën pa test PCR

Maqedonia e Veriut sot vendos nëse do t’i hapë kufijtë për Kosovën pa test PCR

Maqedonia e Veriut sot do të vendosë nëse do të hapë kufijtë me Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, njofton Insajderi.

Ky vendim pritet të merret pas propozimit të dërguar në Qeverinë e Maqedonisë nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, që të lehtësohet masa e kalimit të kufirit pa testin PCR.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se propozimi për këtë nismë rajonale do të diskutohet të martën në mbledhjen e Qeverisë dhe se vendimi me gjasë do të jetë pozitiv.

“Bëhet fjalë për nismë rajonale, jo të Maqedonisë së Veriut, pasi kemi një rajonal të vogël, ndërsa shifrat thuajse janë identike. Me siguri se do të marrim vendim në qeveri, kemi debat kualitativ, kjo do të ndihmojë edhe ekonomikisht, por duhet të kemi kujdes… Ne nuk duam të jemi të izoluar nga rajoni. Nëse rajoni është i hapur edhe ne duhet, jemi shteti i vogël, i lidhur me rajonin. Ne marrim vendime pozitive kur propozime të tillë bëhen nga ekspertët të Komisionit të Sëmundjeve Infektive”, ka deklaruar Zaev.

Hapja e kufijve është kërkuar edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe Oda Ekonomike e Kosovës. /Insajderi.com