Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, thotë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit “do të ndikojë në marrëdhëniet Serbi-Izrael”, transmeton Insajderi.
Kështu u shpreh ai për Radio Televizionin e Serbisë, duke theksuar se nuk ishte as i lumtur e as i kënaqur me marrëdhëniet e sapokrijuara midis dy vendeve.
“Izraeli vetë zgjodhi se interesin më të rëndësishëm e ka lidhjen me Amerikën dhe ajo që është e rëndësishme për Amerikën sesa Serbia. Është e drejta e tyre legjitime. Ajo që është e rëndësishme është që ne nuk morëm pjesë në atë proces sepse presidenti i (Serbisë, Aleksandar) Vuçiq nuk pranoi (në Uashington) të nënshkruajë ftesën për Izraelin për të njohur të ashtuquajturën Kosovë dhe anasjelltas”, tha Selakoviq.
Ivo Viskoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, beson se kjo lëvizje nga Tel Aviv zyrtar, do të ketë pasoja.
“Do të ketë ftohje në vizita – nuk do të ketë vizita në nivelin më të lartë, ndoshta nuk do të ketë vizita në një nivel të lartë diplomatik, por vetëm vizita pune”, tha ai për REL.
“Në çdo rast, do të ketë ndryshime në emocionet dhe opinionin e njerëzve sepse kemi kuptuar se nuk ka vende që na mbështesin pa kushte. Gjithkush, gjithmonë dhe mbi të gjitha po shikon interesin e vet,” tha Viskoviq. /Insajderi.com