Marrëveshja finale me Kosovë-Serbi vështirë e arritshme gjatë këtij viti

Marrëveshja finale me Kosovë-Serbi vështirë e arritshme gjatë këtij viti

Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, po shihet si vështirë e arritshme gjatë këtij viti, njofton Insajderi.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh kritike ndaj kryeministrit Hoti për humbjen e mundësisë që në Uashington të arrihet njohja reciproke. Ndërkohë thotë se në negociatat e Brukselit për herë të parë ka mungesë të madhe të transparencës, pasi nuk po dihet çka po diskutohet.

“Qeveria aktuale nuk ka ngulur këmbë për njohjen nga Serbia. Ju e dini se shkoj në Uashington duke deklaruar se do të marrin njohjen nga Serbia, ndërkaq hoqën dorë nga Republika e Kosovës. Pra në vendin më të sigurt për Republikën e Kosovës, për qytetarët e Kosovës që është në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, në zyrën ovale ata nuk arritën të mbrojnë interesat e Kosovës. Jam shumë e bindur se duke pasur parasysh brishtësinë e kësaj qeverie, mungesën e legjitimitetit do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme shumë shpejtë në Kosovë, pastaj qytetarët të vendosin se kush janë subjektet apo personat që duhet t’i drejtojnë institucionet e Kosovës. Në të kundërtën nëse vazhdon kështu ne jemi shumë të shqetësuar për qasjen e qeverisë Hoti”, thotë Haxhiu për KosovaPress.

Çështjet e shumta të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për hulumtuesen në KDI, Violeta Haxholli e bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshje brenda këtij viti.

“Duke ditur se qëllimi është normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe njohja reciproke do të jetë shumë e vështirë që Kosova dhe Serbia të dakordohen për një marrëveshje finale që i përmbyllë gjitha çështjet e hapura. Mendoj se ende është rrugë e gjatë për të arritur deri tek ajo marrëveshje meqenëse ka pika diskutabile mes Kosovës dhe Serbisë të cilat do të jetë shumë e vështirë të arrihet një dakordim”, ka thënë ai. /Insajderi.com