“Marrëveshja Kosovë-Serbi, e bekuar nga Zoti”

“Marrëveshja Kosovë-Serbi, e bekuar nga Zoti”

Që nga ardhja e Donald Trumpit në Zyrën Ovale si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shumë analistë e autorë kanë teoritizuar rreth fakteve e rrethanave që ndihmuan në ngjizjen e fenomenit Trump. Shumë studiues theksuan faktin e krizës së përfaqësimit që ka kapluar elitën neoliberale dhe atë të demokratëve. Disa të tjerë ngritjen e Trumpit a cilësuan si prodhim të epokës së post së vërtetës. Ndërkaq një grup i tretë i studiuesve nuk harruan të përmendin faktorin e religjionit si shpjegues të fitores së Trumpit në zgjedhjet e fundit presidenciale.            Natyrisht fenomeni i trumpizmit është kompleks ashtu siç janë edhe shpjegimet për e rreth tij. Megjithatë, në këtë rast, religjioni mund të jetë një teori shpjeguese e qëndrueshme. Kjo pasi politika amerikane, ani pse SHBA është vend i zhvilluar, ndikohet në një mënyrë të konsiderueshme nga religjioni e posaçërisht nga evangjelizmi.

Në politikën amerikane janë kryesisht dy rryma interpretuese mbi Zotin, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme në të dy krahët politik. Madje, autori Paul Froese thotë se këto dy rryma interpretuese përkufizojnë dy kampet e mëdha politike, atë republikan dhe demokrat. Është e nevojshme të shpjegohen pasi që ato mund ta ndikojnë edhe në rezultatin e bisedimeve Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje përfundimtare. E para rrymë, ajo që përkrahet nga mendjet liberale/demokrate, Zotin e sheh si një forcë të largët kozmike, të dashur sikurse nëna e jo të angazhuar në qeverisjen e botës. Zoti i demokratëve nuk merr anë politikisht dhe nuk favorizon një komb mbi të tjerët.  Ky Zot liberal u jep një shtysë politikave të të drejtave të njeriut siç është parë gjatë epokës së Jimmy Carterit dhe Bill Clinton në rastin e Kosovës kur bombardimet mbi Jugosllavi i cilësonte si imperativ moral.  Ndërkaq rryma e dytë, e brendesuar nga republikanët, Zotit i jep rol aktiv në detyrat e botës. Pra republikanet Zotin e shohin si të angazhuar, që merr anë në politikën e botës dhe si baba strikt që vetëm urdhëron e nuk mëshiron. Momentalisht Zyrën Ovale e drejton Zoti i republikanëve, ai që jep ultimatume e urdhëra, që është strikt e jo i mëshirshëm. Administrata e Trumpit e sheh Zotin si aktor e jo si spektator në rregullimet e politikës, ekonomisë e shoqërisë.

Në këtë këndvështrim duhet parë edhe kërkesa për fillim të dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjes së shpejtë të një marrëveshje përfundimtare. ”Të dyja palët duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë” është një kërkesë gati `urdhëruese` për dy vendet e vogla të Ballkanit. Administrata e Trumpit nëpërmjet Richard Grennellit dëshiron një marrëveshje të shpejtë ashtu siç është edhe natyra e Zotit republikan e rrufeshme dhe e disiplinuar. Prandaj theksi tek shpejtësia e arritjes së marrëveshjes është në përputhje me mënyrën se si perceptohet Zoti nga evangjelistët republikan. Vendosja nën dispozicionin e Grenellit të një helikopteri ushtarak për udhëtimet e tij drejt Kosovës e Serbisë, udhëtime që do të shpeshtohen në javët e ardhshme, është simptomë se çfarë marrëveshje dëshiron administrata Trump. Në fakt, ajo nuk do të jetë marrëveshje përfundimtare, por një armpëpushim më shumë ; pra nuk do të jetë një Rambuje që negociohet politikisht, por një marrëveshje që nënshkruhet në ndonjë bazë ushtarake amerikane sikurse ajo e Dejtonit. Natyrisht, helikopteri luftarak amerikan do të hy në përdorim si mjet fluturues për në vendin ku nënshkruhet marrëveshja.

Nuk është larg mendsh që Presidenti Trump, si krye-negociator, të cilësoj marrëveshjen eventuale `përfundimtare` ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si të bekuar nga Zoti. Është më se e mundshme që kushdo që do të jetë kundër kësaj marrëveshje, qoftë në Kosovë apo në Serbi, të etiketohet si kundërshtar i vullnetit të Zotit. Ky `fatkeq` do të anatemohet si heretiku dhe i keqi siç kishte bërë republikani Regan me Bashkimin Sovjetik kur e pati emërtuar si `Evil Empire`. Pra në politikën amerikane ende është e gjallë një botëkuptim moralist që ndan botën ndërmjet të keqit dhe të mirit. E shpesh ky botëkuptim i rrënjosur në religjionin civil amerikan shpërfaqet me një gjuhë që bazohet në teologjinë e krishterë. Tek e fundit edhe vetë ardhja e Trumpit është parë si dëshirë hyjnore. Madje Franklin Graham theksonte se ”Zoti e ka vendosur Trumpin në presidencë”. Nuk është fare e vështirë të imagjinohet që edhe marrëveshja Kosovë-Serbi të jetë e `bekuar nga Zoti`. Por a do të jetë ky ”bekim” i favorshëm për Kosovën? Këtë koha do ta tregojë. Natyrisht t’i lësh punët e vendit vetëm befasisë së kohës nuk është fort e udhës. Kosova para fillimit të fazës përfundimtare të dialogut duhet të ri-përkufizojë interesin nacional të saj. Mos ndoshta zhagitja e fillimit të dialogut është interesi më vital i vendit? Për më shumë, në krye të delegacionit tonë, si kurrë më parë, na duhet një njeri i vendosur. Ndoshta është koha për një David racional që nuk i ka frikën t’i thotë jo Goliatit kur e kërkon nevoja. Por a kemi ne Davidin tonë? Këtë nuk e di.

Shkruan: Mirlind Behluli, i cili është gazetar dhe kandidat për doktorant për marrëdhënie ndërkombëtare në Stamboll.