Marrëveshja Kosovë-Serbisë për shkëmbimin e informacioneve – kështu e komentojnë ekspertët e sigurisë

Marrëveshja Kosovë-Serbisë për shkëmbimin e informacioneve – kështu e komentojnë ekspertët e sigurisë

Ekspertët e sigurisë në vend janë deklaruar rreth pikës 10 të marrëveshjes së nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Uashington më 4 shtator, njofton Insajderi.

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se qasja në informacione përmes këtyre sistemeve amerikane që janë paraparë në marrëveshjen e Uashingtonit, është e mirëseardhur për institucionet e sigurinë në vend, pasi siç shprehet ai këmbimi i informacioneve ofron siguri më të madhe në vend dhe rajon.

Ai deklaron se kjo pikë e marrëveshjes ndikon pozitivisht edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Mendoj se përgjithësisht kjo ndikon si në prevension të luftimit të krimit të organizuar të terrorizmit dhe njëkohësisht në mënyrë aktive të jemi anëtar dhe të jemi pjesë e një procesi…Na jep një lehtësi në këmbim të informacioneve por edhe ruajtjen e saj. Por normal i gjithë ky sistem, kur kalon fazën aplikative të jetë një korrektësi në këmbim të informacionit, por jo edhe të keqpërdoret, qoftë nga Serbia apo Kosova apo dikush i treti… Nëse e kemi një mbikëqyrje sikurse dinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta zbatojnë pa hyrë në pjesën infrastrukturore, kapacitet tjera që do i ndërtoj në Kosovë në aspektin e sigurisë, mendoj se nëse SHBA-të garantojnë sisteme të qëndrueshme të këmbimit të informacionit, atëherë mendoj se ajo ka me qenë e mirëseardhur për institucionet e sigurisë në Kosovë dhe pa këmbim të informacionit nuk ka siguri jo vetëm të një shteti por edhe vetë rajonit dhe me gjerë“, tha ai.

Nga ana tjetër, Drizan Shala, një tjetër ekspert i sigurisë, thotë se qasja në këto sisteme amerikane për shkëmbim të informacioneve dhe rritjen e kontrollit të pasagjerëve nuk ndikon shumë në sigurinë e Kosovë. Sipas tij, përfituese më e madhe në këtë rast është Amerika.

“Mendoj se është një pikë shumë teknike ku Kosova dhe Serbia përfitojnë qasje në sistemet e sigurisë të cilat i përdorë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket udhëtarëve dhe pasagjerëve nga një vend në vendin tjetër. Por më kruciale se Serbia dhe Kosova nuk kanë arritur marrëveshje se si ta fuzionojnë sistemin e tyre të informimit sa i përket udhëzimit të udhëtarëve nga Kosova në Serbi dhe nga Serbia në Kosovë dhe kjo po më lë në mëdyshje bukur të mëdha se kjo pikë i përket më tepër sigurimit të sigurisë të udhëtarëve të cilët mund tët lëvizin drejt SHBA-ve…Zbatimi i kësaj marrëveshje në mënyrë të drejtpërdrejt nuk krijon ndonjë siguri për Kosovën sepse përmes kësaj vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfitojnë qasje në informacione të qytetarëve të cilët lëvizin nga Kosova përmes Beogradit në SHBA, apo nga Beogradi drejt SHBA-ve”, tha Shala për KP.

Pika 10 e kësaj marrëveshje ekonomike parasheh që palët të rrisin kontrollimin e pasagjerëve në linjat ajrore, shkëmbimin e informacionit midis tyre dhe brenda kornizës së bashkëpunimit më të gjerë të SHBA-së në Ballkan dhe përditësimin e teknologjisë për të luftuar aktivitetet e paligjshme duke zbatuar dhe funksionalizuar sistemet e shqyrtimit dhe informacionit të ofruara nga SH.B.A., përfshirë PISÇES, APIS, ATS-G dhe SRTP. /Insajderi.com