Po SHBA-së, Jo Rusisë e Kinës

Marrëveshja mes Kosovë e Serbisë në Uashington e mirë – nëse Kina e Rusia kanë më pak influencë në Ballkan

Wesley Clark e njeh shumë mirë Ballkanin. Madje ishte ai që udhëhoqi operacionin ushtarak kundër Serbisë në vitin 1999. Prandaj tash thotë se marrëveshjet ekonomike janë të dobishme për rikthim në normalitet. Por, vetëm nëse influenca e Rusisë dhe e Kinës zvogëlohet.

Marrëveshja mes Kosovë e Serbisë në Uashington e mirë – nëse Kina e Rusia kanë më pak influencë në Ballkan

Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se marrëveshja ekonomike e arritur rishtazi në mes të Kosovës e Serbisë në Uashington, për normalizim marrëdhëniesh, nëse implementohet, mund të jetë ekstremisht dobiprurëse për ekonomitë e të dyjave vendeve, njofton Insajderi.

Megjithatë, duke folur për Zërin e Amerikës, Clark ka shtuar se që të shihen rezultatet e marrëveshjes medoemos duhet të zvogëlohet influenca e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

“Unë ndjek me shumë kujdes modelin e investimeve të huaja që vijnë në Serbi nga Rusia, Kina dhe disa vende të tjera. Unë gjithashtu ndjek pasojat politike të këtyre investimeve. “Unë besoj se qeveria e Kosovës duhet ta marrë këtë parasysh në politikën e saj,” tha gjenerali në pension.

“Kur Rusia dhe Kina investojnë, ata nga ana tjetër presin një koncesion të caktuar politik”. pohoi amerikani. 

Megjithatë Clark, që ishte udhëheqës i operacionit ushtarak kur u bombardua Serbia në vitin 1999, shtoi se çdo mundësi për marrëveshje, sidomos kur vjen nga ndërmjetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është hap pozitiv përpara.

Ushtaraku amerikan vuri theksin tek rëndësia e madhe që kanë investimet dhe zhvillimi ekonomik për të normalizuar raportet mes vendeve dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as Kosova e Serbia./Insajderi.com