
Ardhja e kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit nga Zvicra për në Kosovë, sot ka nxitur reagime të shumta.
Kjo për shkak që siç kishte thënë Pacolli, Qeveria e Kosovës nuk i kishte dhënë leje për të ateruar në Kosovë, përcjell Insajderi.
Mirëpo, më vonë Pacolli përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kishte shkruar se pas gjithë insistimeve të shumta iu kishte lëshuar leja.
Ai u nis nga Aeroporti i Luganos nga Zvicra me aeroplan privat.
Mirëpo, Pacolli nuk ateroi në Prishtinë, por në Tiranë.
E, ndaj kësaj ka reaguar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi.
Abazi duke ironizuar ka kërkuar të dijë se ku është Behgjet Pacolli.
Madje, ai ka pyetur se a nuk do të duhet të ishte në karantinë në një prej hoteleve që Qeveria Rama ka caktuar për ata që vinë nga jashtë vendit.
Postimi i tij i plotë:
Ku është Behgjet Pacolli? Avioni i tij privat mbërriti sot në Tiranë. A nuk do duhej të ishte në karantinë në një prej hoteleve që Qeveria Rama ka caktuar për ata që vinë nga jashtë vendit? I lutem gazetarëve në Shqipëri ta sqarojnë këtë histori./Insajderi.com