Marrin teposhtëzen kolegjet e biznesmenëve të dyshimtë: Pas Avni Mazrekut goditet nga shteti edhe Salal Ahmetxhekaj

Marrin teposhtëzen kolegjet e biznesmenëve të dyshimtë: Pas Avni Mazrekut goditet nga shteti edhe Salal Ahmetxhekaj

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka marrë sot vendim ku u ka dhënë ‘teposhzen’ edhe disa kolegjeve private me pronar të dyshimtë, pasi që vitin e kaluar kishte ‘goditur’ kolegjin privat të Avni Mazrekut të dënuar për plagjiaturë, duke iu marrë edhe titulli i doktoraturës.

Këtë vit, fatin e njëjtë e pati edhe biznesi i Salal Ahmetxhekaj, pronar i kolegjit “Fama”. Ai akuzohej bashku me Raif Halilin, se gjatë muajve prill-maj të vitit 2008, në bashkëveprim si persona zyrtar, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Gjykata Themelore në Prizren kishte marrë vendim që Salal Ahmetxhekaj të shpallej i pafajshëm për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ me arsyetimin se nuk ishte arritur faktimi i akuzës.

Kolegji “Fama” ishte përfshirë edhe në skandalin e ndarjes së dekoratës me çmimin e nderit “Doctor of Humane Letters”, për shtetasin amerikan, Otto Von Feigenblatt, i cili njihej si ‘mashtruesi’ i  Presidentit Hashim Thaçi.

Amerikani ishte zbuluar se ishte mashtrues, kur ambasada amerikane i kishte reaguar atij për mirënjohjet që shpërndante në emër të presidentit Donald Trump.

Përveç kolegjit “Fama”, nuk është akredituar as kolegji “Iliria”, “Tempulli” dhe “Kosova Art Academy” gjatë mbledhjes së sotme nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Ndonëse nuk përmendet saktë kriteret që 4 kolegjet private nuk i përmbushen, një vendim KShC-ja e kishte marrë edhe vitin e kaluar me kolegjin tjetër me pronar të dyshimtë.

Drejtori i ISPE-së Avni Mazreku, kishte ndikuar drejtpërdrejt në punën e Agjencisë Kosovare për Akreditim. Kjo ishte vërtetuar përmes dokumenteve të Microsoft Office Word, të cilat i kishte siguruar kohë më parë Insajderi.

Dokumentet vërtetonin se në shumicën e raporteve që kanë rekomanduar akreditimin e programeve për Kolegjin ISPE nga Agjencia Kosovare për Akreditim (AKA), ka ndërhyrë Kolegji ISPE.

Agjencia e Kosovës për Akreditim i kishte revokuar akreditimin Kolegjit ISPE të Avni Mazrekut në të gjitha programet e studimit Bachelor (BA) dhe Master (MA) duke përjashtuar vetëm programin Studime të Sigurisë Bachelor (BA).

Bordi i KShC-së ka vendosur gjatë ditës së sotme me gjashtë vota pro për mos akreditimin e kolegjeve në fjalë.

Avni Mazreku ishte dënuar në fillim të këtij viti nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 3 vite burgim. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës  “në vitin 2014 në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishte vënë në lajthim organin kompetetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore”./Insajderi.com