Masakra në Çikatovë tregon se qëllimi i serbëve ishte shfarosja e Kosovarëve

Masakra në Çikatovë tregon se qëllimi i serbëve ishte shfarosja e Kosovarëve

Presidentja, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Çikatovë të Vjetër të komunës së Drenasit, aty tha se masakra që është bërë në atë vend tregon se qëllimi i serbëve ishte shfarosja e Kosovarëve, njofton Insajderi.

Çikatova është vendi ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë 77 shqiptarë civilë të paarmatosur, kufomat e të cilëve më pas i kanë djegur, në mesin e viktimave ishin edhe foshnje vetëm gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

“Jemi këtu për të nderuar të gjitha viktimat e masakrës së 17 prillit në Çikatovë të Vjetër. Por, edhe të gjithë dëshmorët e të rënët e këtij fshati, të gjithë martirët të cilët ranë më mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë”, tha Osmani.

Osmani ka theksuar se kushdo që mund të ketë dyshime rreth qëllimit që se ata duan të shfarosin Kosovarë “mjafton që të vijë këtu në Çikatovë të Vjetër pastaj të shkojë edhe në Poklek dhe ta shoh se si serbët nuk kursyen as më të vjetrit e nuk kursyen as fëmijët e vegjël për të treguar kështu që qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik por ishte që ta zhduk popullin shqiptar nga faqja e dheut”.

Presidentja ka shtuar se e kemi si borxhin më të lartë njerëzor që të sigurojmë drejtësi për të gjithë të rënët.

“Ne që sot jemi të gjallë falë sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, e kemi borxhin më të lartë njerëzor që të sigurojmë drejtësi për secilin prej tyre sepse vetëm ditën kur të ketë drejtësi për të gjithë të rënët për lirinë tonë atëherë edhe paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë do të jetë i mundur”, deklaroi Osmani. /Insajderi.com