Infektologu Hamdi Ramadani u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbajnë maska, distancë dhe të vaksinohen kundër Coronavirusit.
Sipas tij, situata me pandeminë është më e mirë në krahasim me javët e kaluara, por “nuk duhet të relaksohemi pa arritur në 70 përqindja e të vaksinuarve”.
“Kemi rënie të madhe të rasteve me COVID-pozitiv, kemi edhe një rënie e madhe të të vdekurve, që do të ishte mirë të binte në zero, por mund të themi se në krahasim me javët e kaluara është situatë më pozitive”.
“Ajo që është e rëndësishme është që vaksinimi në masë është duke shkuar mirë edhe pse është një rënie ditët e fundit në shifra, jemi mësuar t’i shohim 15 mijë e 20 mijë të vaksinuar brenda ditës, por megjithatë tash kjo është për t’u përshëndetur për shkak se më shumë se 570 mijë qytetarë janë të mbrojtur nga Coronavirusi”, është shprehur ai ëpr Telegrafin.
Megjithatë, siç ka thënë infektologu Ramadani, masat anti-COVID duhet të vazhdojnë derisa të imunizohet shumica e popullsisë.
“Derisa të arrijë shifra prej 70 % duhet të vazhdojnë masat, kur të arrijmë shifrën e përmendur, mund të jemi në një situatë shumë më të mirë, më të qëndrueshme dhe mendoj me një pandemi të kufizuar, por duhet patjetër të kalojë shifra prej 70% të qytetarëve të planifikuar për tu vaksinuar”, ka theksuar Ramadani./Insajderi.com