Masat e reja anti-COVID votohen nga kabineti qeveritar

Masat e reja anti-COVID votohen nga kabineti qeveritar

Të premten në ora 19:00 hynë në fuqi masat e reja anti-COVID. Qeveria e Kosovës i votoi ato.

Në mbledhjen e radhës të Qeverisë Hoti u hedhen në votim kufizimet e reja të cilat u prezantuan të mërkurën.

Masat nuk janë unike për të gjitha komunat, por në bazë të numrit të infeksioneve.

Është kërkuar nga komunat që të shtojnë shtabet emergjente, ndërsa në pikat kufitare do të vendosen ekipe mjekësore.

Zona e kuqe – rrezik i lartë

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës.

Në këto komuna, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Zona e portokalltë – rrezik mesatar

Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.

Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e portokalltë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.

Në këtë zonë, hyjnë të gjitha komunat tjera që nuk janë pjesë e zonës së kuqe dhe të gjelbër.

Zona e gjelbër – rrezik i ulët

Në këtë zonë hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.

Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.

Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”. /Insajderi.com