Masat e reja – Hasani: Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë kundërkushtetues dhe uzurpim i pushtetit

Beadin Syla

Masat e reja – Hasani: Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë kundërkushtetues dhe uzurpim i pushtetit

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar masat e reja të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve në tërë Kosovën. Me këtë vendim, qytetarët do të kenë mundësi të dalin vetëm 90 minuta brenda ditës, shkruan Insasjderi.

Mirëpo, ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, profesor Enver Hasani, është në kundërshtim të plotë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e saj.

Në një prononcim për Insajderin, Hasani ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, nuk guxon në asnjë mënyrë të marrë vendime të tilla, pasi është shpallje efektive e gjendjes së jashtëzakonshme, gjë e cila nuk mund të bëhet me vendim të MSh-së.

“Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, tha Hasani.

Ai shtoi se vendimi i MSh-së është derogim i lirive dhe të drejtave të njeriut bazuar në nenin 56 të Kushtetutës.

“Kjo mënyrë që u tha është tërësisht kundër kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse është gjendje e jashtëzakonshme efektivisht dhe është derogim nga liritë dhe të drejtat kushtetuese sipas nenit 56. Derogim, nuk është kufizim, ky është derogim i lirive dhe të drejtave kushtetuese sipas nenit 56. Është uzurpim i pushtetit, tërësisht në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Hasani, raporton Insajderi.

Profesor Hasani me tutje ka treguar se vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen në mënyrë obligative.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të vet ekzekutueshme, ato nuk kanë sikur gjykatat e rregullta garantues, shembull policia të fut në burg nëse s’e respekton ligjin. Ato janë të vet-ekzekutueshme, sepse supozohet që organet kanë vetëdije për ti ekzekutuar. Gjykata Kushtetuese e ka kryer punën e vet shumë profesionale, e ka thënë atë dhe ky vendim i sotëm është tërësisht në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Dhe nuk është kufizim, është derogim, në fakt shpallje efektive e gjendjes së jashtëzakonshme, është derogim i lirive dhe të drejtave të mia si qytetar nga neni 56 i Kushtetutës, e atë nuk mund ta bëjë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi Hasani për Insajderin.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët nga e mërkura do të lëvizin vetëm një orë e gjysmë brenda ditës dhe atë në bazë të numrit të parafundit personal. Po ashtu janë paraparë edhe dënime të ashpra për ata që nuk i zbatojnë këto masa. ​/Insajderi.com