Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për masat e reja për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, njofton Insajderi.
Komiteti për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës rreth COVID-19, ka propozuar disa veprime për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të numrit të rasteve pozitive me Coronavirus.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online Insajderi, tregohen një varg masash të cilat përfshijnë mbylljen e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafenetë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, nga data: 06/11/2020 (e premte) deri më datë 09/11/2020 (e hënë) në orën 05:00, përveç:
Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
Masat për të cilat është marrë vendimi:
Ndalohet veprimtaria e te gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermerketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafenetë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 datë: 06/11/2020 (e premte) deri më datë: 09/11/2020 (e hënë) në orën 05:00, përveç:
1.1 Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
1.2 Institucioneve shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
1.3 Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID-19 të (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë – shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).
1.4 Operatorët ekonomikë dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit.
Pezullohen paragrafët 7, 8, 11, 12, 13, 14, 20 e vendimit të Qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi. /Insajderi.com