MAShT-i zyrtarisht njofton se mësimi vazhdon në shkolla

MAShT-i zyrtarisht njofton se mësimi vazhdon në shkolla

Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një komunikate për media thotë se është e shqetësuar për situatën pandemike në vend, pasi që numri i rasteve të infektimeve me COVID-19 ka shënuar rritje edhe në sektorin e arsimit, por edhe në sektorë të tjerë.

MASH thotë se të hënën, 22 mars 2021 mësimi do të mbahet sipas skenarit me të cilin shkollat janë duke punuar aktualisht.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke e analizuar situatën në koordinim të plotë me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në, SBASHK-un, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe të gjithë akterët tjerë të përfshirë në procesin mësimor. Deri në një vendim tjetër, MASh njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se të hënën, 22 mars 2021 mësimi do të mbahet sipas skenarit me të cilin shkollat janë duke punuar aktualisht”, thuhet në njoftimin e MASh.

Tutje në njoftim thuhet se ” në mënyrë që t’i mbajmë shkollat hapur, është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjithë akterëve, prandaj, MASh kërkon nga nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë akterët e përfshirë në shkollë që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë”.

“Po ashtu, MASh kërkon nga task forcat në të gjitha nivelet që të kryejnë detyrat sipas Udhëzuesit, ndërsa DKA-të dhe menaxhmenti i shkollave të kujdeset për dezinfektimin e shkollave dhe respektimin e masave kundër pandemisë”./Insajderi.com