
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Republikës së Kosovës ka nënshkruar një kredi në vlerë prej 2 milionë dollarëve amerikanë nga Banka Botërore për nënkompotentën e granteve për Zhvillim të Shkollave në Kosovë.
Por nga kjo kredi, të cilën obligohen që ta paguajnë taksapaguesit kosovarë, Ministria që e drejton Arsim Bajrami ia ka ndarë 234 mijë euro organizatës ku punon si menaxher i projekteve Kushtrim Bajrami, djali i ministrit Arsim Bajrami.
Bëhet fjalë për një kontratë të nënshkruar nga Fondi i Kredisë i Bankës Botërore me organizatën joqeveritare – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), ku kjo organizatë gjatë viteve në vijim do t’i ofrojë ndihmë shkollave kosovare se si ta përgatisin dokumentacionin për të fituar grante nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Gazeta “Zëri” ka bërë një hulumtim disa javor në lidhje me fondet që i përfiton organizata joqeveritare – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), e cila drejtohet nga Dukagjin Pupovci dhe ku që nga viti 2012 punon si menaxher i projekteve Kushtrim Bajrami, djali i ministrit në detyrë të Arsimit, dhe ka zbuluar se kjo OJQ edhe më herët ka përfituar fonde të majme nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, si dhe nga donatorë të shumtë ndërkombëtarë.
Pupovci: Konkurruan edhe kompani ndërkombëtare, fituam ne
Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë kanë filluar implementimin e projektit “Mbështetje e implementimit të granteve shkollore”, të cilën e financon me 234 mijë euro Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas Pupovcit, kjo është një kontratë komerciale dhe, siç thotë ai, ato s’janë mjete të Qeverisë së Kosovës.
“Në këtë projekt kanë marrë pjesë edhe kompani ndërkombëtare, duke përfshirë këtu kompani nga Zelanda e Re, Italia, por KEC-i është shpallur fituese, pasi që vlera e projektit ka qenë e vogël dhe s’ka pasur interesim nga kompanitë e huaja që të merren me projektin në fjalë”, shprehet Pupovci.
Pas publikimit të hulumtimit ka reaguar Pupovci i cili përmes një statusi në Facebook, thotë se ky insitucion nuk ka përfituar para nga MASHT-i në emër të djalit të ministrit.
“Një gjë që nuk thuhet, në formë të prerë, në artikull, por mund të lexohet në mes rreshtave është se KEC paska përfituar fonde falë faktit se Kushtrim Bajrami është djali i ministrit. E këtu STOP ju lutem. KEC vepron nga viti 2000 dhe asnjëherë nuk ka qenë i varur nga asnjë ministër, e aq më pak nga familjarët e ministrit”, thuhet në reagimin e Pupovcit.