MASHT tregon se si do të zhvillohet mësimi nga shtatori

MASHT tregon se si do të zhvillohet mësimi nga shtatori

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë deklaruar rreth planifikimit të tyre për zhvillimin e procesit mësimor në shkollë, por nëse gjendja me pandeminë nuk ndryshon, atëherë në plan janë dy alternativa të tjera.

“Skenari i parë, ku rreziku i përhapjes së virusit dhe numri i të infektuarve është i ulët, kërkon që grupet e nxënësve që kthehen në shkollë të qëndrojnë në ambient të klasës me respektimin e masave të distancës dhe rekomandimeve tjera të IKSHP. Skenari i dytë, me shkallë të moderuar të rrezikut, parasheh mësimin e kombinuar në shkolla me orar të shkurtuar dhe gjithashtu kërkon ndjekjen e mësimit në platformat online. Dhe skenari i tretë, në rast të shkallës tejet të lartë të rrezikut të vlerësuar nga institucionet relevante, parasheh që mësimi të organizohet plotësisht nga distanca”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit për Kohën.

Për shkak të pandemisë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve e mësimdhënësve, MASHT gjatë së enjtes mori vendim edhe për anulimin e mbajtjes së testit të arritshmërisë për vitin shkollor 2019/20.

Rinor Qehaja nga Instituti Edguard është shprehur se cilido që të jetë vendimi i Ministrisë duhet të mendohet e përgatitet mirë paraprakisht, duke qenë se përvoja e deritanishme me mësimin online ka vënë në pah shumë të meta të sistemit arsimor. Ai tha se gjatë kësaj periudhe, përveç që janë shfaqur mangësi në mësimdhënie, janë shfaqur edhe probleme në mësimnxënie nga nxënësit e klasave më të ulëta.

“Mësimi në distancë dhe mësimi online ka qenë më e mira që ka mundur të organizohet në kushtet e jashtëzakonshme të një pandemie sikurse kjo që ka qenë. Por, në të njëjtën kohë kjo formë e mësimit i ka vënë në pah shumë të meta të sistemit tonë arsimor dhe domosdoshmërinë për korrgjim jo vetëm për nevoja të situatës por për rëndësinë që po të njejtat e kanë në ngritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar”, ka thënë Qehaja.

Mirëpo, nga Ministria kanë thënë se gjatë përgatitjes janë përfshirë trajnimet bazë për mësimdhënësit, në mënyrë që të mund ta zbatojnë cilëndo nga tri alternativat që janë propozuar. /Insajderi.com/