Mashtrimi i agjencisë kosovare turistike – Policia bën apel ndaj të gjithë qytetarëve

Mashtrimi i agjencisë kosovare turistike – Policia bën apel ndaj të gjithë qytetarëve

Agjencioni Turistik “Vol Travel” me seli në Gjilan po dyshohet se është duke mashtruar kosovarët në lidhje me rezervimet e tyre për pushime verore, shkruan Insajderi

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë është duke i trajtuar disa ankesa të qytetarëve të Republikës se Kosovës të cilët kishin bërë aranzhime turistike për verën e vitit 2018.

Policia ka kërkuar që të gjithë qytetarët të lajmërohen në Polici që kanë aranzhuar udhëtimet e tyre me këtë agjenci.

“Këto aranzhime turistike dyshohet se nuk janë realizuar nga  agjencioni i lartpërmendur, prandaj ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kanë  bërë aranzhime turistike me agjencionin në fjalë, e të cilat  aranzhime nuk janë realizuar, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës në nivel të regjioneve përkatëse policore ku ata banojnë”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës thotë më tej se është duke “ndërmerrur dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të involvuar në raste të tilla të mashtrimeve, dhe njëkohësisht kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, të informojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për parandalimin e këtyre rasteve”.

Policia e Kosovës në raportin 24-orës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme dy gra kanë lajmëruar Policinë për mashtrim nga kjo kompani. Ndërkaq pronari kishte ikur nga policia dhe po vazhdon të gjendet në arrati.