Mashtrimi publik i Vuçiqit në OKB në lidhje me serbin e arrestuar për krime lufte në Kosovë

Mashtrimi publik i Vuçiqit në OKB në lidhje me serbin e arrestuar për krime lufte në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka shfrytëzuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB për të “vajtuar” ndaj vendimeve të fundit të Kosovës për taksën dhe Ushtrinë, por jo vetëm.

Presidenti serb gjatë fjalimit të tij përmend edhe problemet që pretendon se i kanë serbët për tu rikthyer në tokat e tyre.

Vuçiq e përmend serbin, Bogdan Mitroviq nga Suhareka duke mashtruar publikisht se ai është arrestuar pa asnjë aktakuzë, transmeton Gazeta Insajderi.

“Bogdan Mitroviqi një serb i përzënë nga Mushtishti i Suharekës. Ai ka dashur të kthehet në atë shtëpi që ka mbetur bashkë me gruan dhe tri vajzat e tij. Në vend se të vizitonte shtëpinë e rrënuar, është arrestuar dhe keqtrajtuar në praninë e vajzave dhe nipit. Është marrë në mbajtje, është mbajtur 1 muaj, pa kurrfarë aktakuze. Pa ndonjë hetim tjetër, dhe nuk është i vetmi rast. Është shembull se çfarë iu bëjnë serbëve që tentojnë të vizitojnë vatrat e tyre”, ka thënë Vuçiq në OKB.

Por cila është e vërteta në lidhje me rastin e Bogdan Mitroviqit?

75 vjeçari nga fshati Sopi i Suharekës ishte arrestuar më 28 gusht të vitit 2017, nën akuzat për kryerjen e krimeve të luftës.

Mitroviq dyshohej për kryerje të veprave penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, krime të luftës në shkelje të rëndë të Nenit 3 të përbashkët për katër konventat e Gjenevës dhe krime të luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.

Prokurori i këtij rasti ishte tashmë i larguari nga Kosova, Elez Blakaj.

Blakaj, në gjykatë kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar se Mitroviq në bashkëkryerje më 2 prill 1999 ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet.

Prokurori theksonte se Mitroviq atë ditë kishte qenë në fshatin Sopi ku ishin vrarë 38 persona, ishte plaçkitur pasuria e këtij fshati, e pastaj popullata ishte dëbuar për në Shqipëri.

Mitroviq që ishte arrestuar në muajin gusht, ishte mbajtur në paraburgim deri në janar të këtij vitit.

“Kurrë askujt s’i kam marrë gjë, dhe ja përnjëherë bëhem kriminel”, kishte thënë ai pas lirimit, duke shtuar se nuk mund të ankohet për trajtimin që ka pasur gjatë qëndrimit në paraburgim të EULEX-it. /Insajderi.com