Tetë persona janë arrestuar, ndërsa janë konfiskuar vetura, para (rreth 150 mijë euro), kompjuterë, server e telefona mobilë gjatë së mërkurës në një aksion që ka të bëjë me grupe kriminale të përfshira në veprën penale të Mashtrimit, përcjell Insajderi.
Prokuroria Speciale në një komunikatë për medie ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor dhe Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg – Gjermani.
Sipas prokurorisë, personat e dyshuar në këtë rast kanë joshur dhe mashtruar qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “call center” duke iu ofruar për të investuar në aksione të ndryshme, si dhe në kriptovaluta që në këtë rast kanë qenë platforma fiktive dhe të dyshimtit kanë përvetësuar shuma të mëdha të hollash.
“Gjithashtu, në operacionin e sotëm janë kontrolluar 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, deri më tani janë arrestuar tetë (8) persona të dyshimtë, si dhe janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i personave të dyshuar. Gjatë kontrollit të lokacioneve në këtë operacion deri më tani janë gjetur dhe sekuestruar: 6 vetura, 149.300 euro kesh, dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, Serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprës penale”, thuhet në komunikatë.
Të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dërgohen në mbajtje ku më pas pritet të dalin para gjyqtarit.
“Këtij operacioni i ka paraprirë një hetim i përbashkët në mes të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe partnerëve tanë nga Prokuroria e Përgjithshme në Bamberg – Gjermani. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar dokumentacion i nevojshëm që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme”./Insajderi.com