Mashtruan tetë qytetarë për viza Schengen, arreston tre persona

Mashtruan tetë qytetarë për viza Schengen, arreston tre persona

Policia e Kosovës sot ka arrestuar tre persona të dyshuar, lidhur me disa raste të mashtrimit me viza.

Personat e dyshuar: N. Lepaja,  mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, K. Lepaja, mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe V. Behrami,  mashkull, 40 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet të jenë përfshirë në veprën e mashtrimit , duke marrë nga  viktimat shuma të ndryshme parash (mijëra euro), duke u premtuar viktimave se do t’ua  rregullojnë vizat e punës  për vende të Bashkimit Evropian.

Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga të arrin mbi 8 qytetarë të ndryshëm të cilët nuk kanë raportuar se janë mashtruar nga po njëjtit persona.

Sipas policisë, pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, personat e dyshuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale para se rasti të dërgohet në gjykatë.

Ndërkohë që hetimi po vazhdon, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave të dyshuar, policia fton të gjithë ata që janë viktimizuar nga ky mashtrim të paraqiten në stacionin më të afërt policor për denoncim.