Matësi i Performancës në Prokurim Publik: Praktika të mira që vlejnë të shpërndahen, praktika të këqija që vlejnë të përmirësohen

Matësi i Performancës në Prokurim Publik: Praktika të mira që vlejnë të shpërndahen, praktika të këqija që vlejnë të përmirësohen

Sipas matjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, zyrtarët në të shumtën e rasteve pranojnë vetëm ato rekomandime të cilat mendojnë se i meritojnë. Kur jemi tek prokurimi publik, Komunat e Kosovës zbatojnë vetëm 24% të rekomandimeve institucionale që iu drejtohen atyre. Përveç zbatimit të dobët të rekomandimeve që vijnë nga institucionet mbikëqyrëse, Demokraci Plus ka vërejtur edhe probleme tjera gjatë proceseve të prokurimit publik, sic janë implementimi i ligjit dhe angazhimi qytetarë.

Të gjetura të tilla dolën në pah falë punës së Demokraci Plus në raportin e Matësit të Performancës në Prokurim Publik, i cili u përgatit me mbështetjen e projektit të USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM). Ky raport kishte për qëllim që të vlerësonte performancën për pesë komunat e përzgjedhura – Prishtina, Gjakova, Vushtrria, Gjilani dhe Peja – në prokurim publik, të mbledhë të dhëna krahasuese nga këto komuna, si dhe të ndajë praktikat e mira në mes tyre. Në një tryezë diskutimi të organizuar më 6 qershor, 2018 në të cilën prezent ishin përfaqësuesit nga komunat e përzgjedhura, anëtarë të shoqërisë civile, si dhe stafi i USAID/TEAM u bë diskutimi dhe shqyrtimi rreth raportit të D+. Stephen Carpenter, kryshefi i projektit TEAM, deklaroi qartë se synimi i këtij projekti nuk është t’i fajësojë komunat, mirëpo t’i shtyjë ato drejtë një performance edhe më të mirë, sidomos duke marrë parasysh faktin që komunat e zgjedhura janë ndër komunat me performancën më të mirë në Kosovë.

Si një ndër iniciativat e para të këtij lloji për Matjen e Performancës në Prokurim Publik, ky raport i përgatitur nga Democracy Plus njëherit krijoi edhe “Mjetin Matës të Performancës” në të cilin u bazua i tërë procesi i mbledhjes së rezultateve i inspiruar nga OECD. Kjo metodologji e re përbëhej nga një pyetësor vetë-vlerësues që u desh të plotësohej nga zyrtarët komunal, në të cilin ishin zgjedhur me kujdes gjashtë indikatorë kryesorë, si dhe më shumë se 30 nën-indikatorë në total. Këta indikatorë përfshinin zbatimin e ligjit, praktikat e mira, implementimin e rekomandimeve nga institucionet mbikëqyrëse, transparencën, konkurrencën dhe angazhimin qytetarë. Në anën tjetër, nën-indikatorët për synim kishin vënë në pah aspekte më të detajuara të indikatorëve kryesorë, përfshirë hulumtimet e tregut, menaxhimin e kontratave, angazhimin e qytetarëve përgjatë procesit të vlerësimit të tenderëve dhe fazës së monitorimit dhe shumë aspekte tjera. Duke qenë se të dhënat ishin kualitative edhe kuantitative, pyetësorit iu shtuan edhe intervistat me zyrtarë komunal dhe zyrtarë të prokurimit nga institucionet mbikëqyrëse, në mënyrë që të krijohet një qasje sa më gjithëpërmbledhëse ndaj gjendjes së prokurimit në Kosovë. Ajo çfarë u kuptua gjatë intervistave është se mungon bashkëpunim jo vetëm mes komunave, por edhe mes institucioneve rregulluese, siç janë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Organi i Shqyrtimit Publik (OSHP) dhe Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK). Në fakt, mungesa e bashkëpunimit institucional vetëm i pengon edhe më tutje përpjekjet kundër korrupsionit në prokurim publik.

Të gjeturat kryesore të raportit tregojnë se komunat me performancën më të mirë përgjatë gjashtë indikatorëve janë Komuna e Prishtinës dhe Vushtrrisë. Indikatori në të cilin komunat në përgjithësi shënuan rezultate të mira ishte ai i konkurrencës, ndërsa rezultate më të dobëta treguan në indikatorin për zbatim të ligjit. Megjithatë, zbatimi i ligjit vazhdon të jetë një sfidë për të gjithë sektorin publik në Kosovë. Komuna e Prishtinës u veçua për zbatimin e një plani të integritetit, ndërsa Komuna e Vushtrrisë është komuna e parë që ka publikuar raport për planifikim të prokurimit. Këto dhe shumë lloje tjera të praktikave të mira duhet të shërbejnë si shembull për komunat me performanca më të dobëta.

Pavarësisht radhitjes së tyre, një aspekt i përbashkët sfidues për të gjitha komunat ishte menaxhimi dhe monitorimi i kontratave. Ajo çfarë komunat praktikojnë është punësimi i një menaxheri për mbikëqyrjen e implementimit të projektit. Megjithatë, menaxherët jo vetëm që nuk raportojnë tek komunat, por ata as nuk monitorohen nga institucionet rregullatore. Edhe pse KRPP-ja është ligjërisht e obliguar të monitorojë aspektin administrativ të menaxhimit të kontratave, ajo nuk e bënë një gjë të tillë. Sipas Raportit Vjetor të KRPP-së për vitin 2016, vetëm shtatë aktivitete të prokurimit ishin monitoruar, duke lënë kështu një numër të madh të tyre pa u monitoruar. Prandaj,është tejet e rëndësishme që KRPP-ja të inicioj përpjekje institucionale për të trajtuar mungesën e monitorimit të kontratave, si dhe të përmirësojë mekanizmat monitorues.

Si përfundim, sikurse synimet paraprake ashtu edhe rezultatet e raportit e mbështesin pohimin e Demokraci Plus se konkurrenca e shëndetshme ndikon si një forcë shtytëse në prokurim publik. Është inkurajuese për sektorin privat që të gjitha këto komuna kanë shënuar rezultat të lartë në indikatorin e konkurrencës. Sidoqoftë, nevojiten përpjekje shtesë për të përmirësuar gjendjen e menaxhimit të kontratave nëpër të gjitha komunat. Mbledhja e të dhënave të krahasueshme nga komunat e përzgjedhura dhe renditja e tyre është një hap i parë mjaft i fuqishëm në promovimin e ndarjes së praktikave të mira ndërkomunale.

Ky opinion është përgatitur nga Nicole Osuji dhe Rrita Ismaili – Demokraci Plus (D+)