Matoshi kërkon reagimin e presidentes, ministrave e deputetëve për deklaratën e Shefqet Krasniqit

Matoshi kërkon reagimin e presidentes, ministrave e deputetëve për deklaratën e Shefqet Krasniqit

Gazetari dhe publicisti, Halil Matoshi ka kërkuar reagimin e presidentes, ministrave dhe deputetëve lidhur me deklaratën që Hoxha Shefqet Krasniqi bëri mbrëmjen e së martës në një emision televiziv, njofton Insajderi.

Krasniqi deklaroi se kuzhina është për gra, jo për burra, pasi sipas tij, këta të fundit e kanë vendin në odë.

Ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta.

Ndër ta është edhe Matoshi, i cili përmes një shkrimi në Facebook, ka pyetur se ku janë ato gra që kishin reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastratit.

“Kundër hoxhës “së ndritun” Shefqet Krasniqi, që thotë se gruja e ka vendin n’kuzhinë e burri n’odë, (dmth gruaja s’guxon me u përzi ne sferën e Res Publica-s) asnjë protestë, pos Vlora Çitakut, as Presidentja as gratë deputete e ministre por as ato nga shoqnia civile, nuk po e çojnë kryet me kundërshtua!? Nuk po e çelin gojën! Së paku jo deri tash!?”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kjo heshtje nga gratë të cilat janë në pushtet po ndikohet për shkak se të njëjtat votohen nga “xhemati” I Hoxhës Krasniqi.

“Krasniqi tha diçka fatale për barazinē gjinore, jo vetëm deklaratë që përkufizohet me misogjininë por ishte në thelb thirrje për shtypje të grave, shovenizëm klasik. Së paku, ato gra që sulmuan profesor Kastratin, ato duhej të bërtisnin sonte!? Hipokrizi.  Shoqni në masë të madhe hipokrite”, ka shkruar tutje Matoshi./Insajderi.com