“Maxhuni dhe Lumezi dy nga pesë kapësit e shtetit, kumbarë të shumë rasteve kriminale”

“Maxhuni dhe Lumezi dy nga pesë kapësit e shtetit, kumbarë të shumë rasteve kriminale”

Ish-shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni ka akuzuar shefin e Agjencionit Kosovarë të Inteligjencës (AKI), Shpend Maxhunin dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi për përfshirje në mbylljen e shumë rasteve kriminale të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Në një koment në Facebook, Preteni ka shkruar se Maxhuni dhe Lumezi janë dy nga pesë kapësit kryesor të shtetit. Përveç kësaj ai ka thënë se Maxhuni dhe Lumezi janë aleatët e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

“Gruaja e Shpendit punon ne prokurori, Leka dhe Shpendi aleat te H.Th, kumbare të shumë rasteve të mbyllura dhe pozicionimin e titullarëve te institucioneve te pavarura, dy nga pese kapësit kryesor te shtetit!”, ka shkruar Preteni.

Ky reagim i Pretenit vjen pas publikimit të përfshirjes së djalit të Shpend Maxhunit në armëmbajtje pa leje dhe drogë.

Djali i Maxhunit ishte ndalur natën e 13 tetorit nga Policia e Kosovës ku në veturën e tipit “Golf” kishin qenë tre persona dhe u ishte gjetur drogë dhe armë.

“Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit,në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Për këtë ka reaguar edhe shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ku ka thënë se nuk po ngutet të thotë diçka më shumë për përfshirjen e djalit të Shefit të AKI-së në armëmbajtja pa leje e drogë.

Haradinaj ka thënë se rasti duhet të hetohet pa ndikim.

“Nuk isha ngut me thanë diçka, le ta hetojnë”, ka thënë Haradinaj, në një ceremoni në Obiliq.

Ai ka thënë se beson se ka njerëz me integritet në sistemin e drejtësisë për të trajtuar rastin e djalit të Shpend Maxhunit. /Insajderi.com