Policia e Kosovës ka mbajtur një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 11 qershor 2017”.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, njoftoi lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet e Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Maxhuni kërkoi nga eprorët e lartë policorë që të gjitha detyrat dhe plani policor për ditën e zgjedhjeve të realizohet me profesionalizim dhe me përkushtim të lartë.
Në takimin morën pjesë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit, Jan Braathu shef i misionit të OSBE-së, përfaqësues të lartë nga KFOR-i, EULEX-i dhe Misionit evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.
U diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet .
“Në këtë takim nga të gjithë të pranishmit u diskutua për angazhim të plotë në gjithë territorin e vendit duke përfshirë edhe veriun, me qëllim të ofrimit të sigurisë për t’iu mundësuar të gjithë qytetarëve të vendit të ushtrojnë të drejtën e votës pa ndikime dhe pa pengesa”, thuhet në njoftimin e policisë.