Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë të premten u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, përcjell Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke theksuar nevojën e domosdoshme për hartimin e këtij projektligji, theksoi se tashmë jemi vonuar në drejtim të kompletimit të pakos ligjore kundër korrupsionit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Ministres së Drejtësisë, ky rregullim nuk ka treguar apo dëshmuar sukses në luftimin e pasurimit të paligjshëm “pasi që aktualisht me legjislacionin në fuqi në çdo rast kushtëzohet konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes aktivitetit kriminal me zhvillimin e procedurës penale që ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale, gjë që paraqet pengesë juridike që krimi i organizuar të luftohet në mënyrë të drejtpërdrejtë”.
“Në fjalimin e saj, Ministrja Haxhiu u zotua personalisht që me të gjitha kapacitetet intelektuale dhe mekanizmave të Ministrisë së Drejtësisë, do jetë në përkushtim të plotë për të jetësuar forcimin dhe zbatimin e ligjit, si dhe inkurajoi anëtarët e Grupit Punues për angazhim të pakursyer në mënyrë që bashkërisht të konsiderojmë se korniza ligjore duhet të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm shoqërorë, me qëllim të mbrojtjes së vlerave shoqërore si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit publik për shoqërinë dhe individin si një tërësi komplementare”, thuhet në komunikatën për media.
Në fund të takimit, anëtarët e Grupit Punues, u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të hartohet ky projektligj./Insajderi.com