Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka mbajtur takim me donatorë ndërkombëtar. Synohet rimëkëmbja ekonomike.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami deklaroi sot se Programi për rimëkëmbje ekonomike synon të zbusë dëmet ekonomike-sociale të shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Kosovë dhe të vendosë bazat e një platforme ambicioze përmes koordinimit me donatorët, institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë zhvillimore ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, njofton Insajderi.
Ajo këto komente i bëri sot gjatë një takimi virtual me donatorët dhe partnerët zhvillimorë, gjatë të cilit prezantoi Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të hartuar nga Qeveria e Kosovës.
Bajrami me këtë rast shpjegoi masat e parapara, institucionet bartëse për zbatimin e masave si dhe rolin dhe kontributin e donatorëve në procesin e rimëkëmbjes ekonomike.
Pjesëmarrësit në takim e mirëpritën këtë iniciativë të Qeverisë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të punuar së bashku me Qeverinë e Kosovës në projekte dhe aktivitete që kanë për qëllim forcimin e ekonomisë, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Ky takim i sotëm kishte karakter përgatitor për konferencën e radhës të nivelit të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve ndërkombëtarë që mbahet pas disa javësh.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë takim ishin përfaqësuesit nga BE, USAID, GIZ, UNKT (UNDP, UNICEF, etj.), ADA, Ambasada e Suedisë, FMN, BERZH, TIKA, Ambasada e Norvegjisë, Ambasada e Francës, Ambasada e Japonisë, Banka Evropiane për Investime, Banka Botërore, etj. /Insajderi.com