Shumë gjëra mund të kenë ndryshuar prej kur ka shkuar UNMIK-u. Por një gjë esenciale jo. Ne jemi dhe ishim peng i një grupi të paaftësh në politikë. Të paaftë që na i zbutën pritjet pas pavarësisë, na e sollën Dick Martyn, e përçan dhe e minuan shtetin shumetnik dhe na e dhanë vulën e krimit të organizuar. E çka tjetër nuk bënë?! Paaftësia mund edhe të na e kthejë edhe UNMIK-un
Axha Binak ka marrë një lajm të mirë këto ditë. Plakut për disa vite i është dhënë e njëjta arsye sa herë që ka pyetur nëse ndërmarrja ku ka kaluar gjithë jetën do të hidhet në privatizim e që ky të arrijë të marrë sadopak para nga 20 përqindëshi që u takon punëtorëve.
“S`bahet kjo punë pa u emërua bordi”, ka qenë përgjigja që e ka marrë që më shumë se dy vjet.
Mosmarrëveshjet dhe pafuqitë e partive në pushtet e kanë lënë Agjencinë Kosovare të Privatizimit pa bord për një kohë të gjatë. Kjo ka bllokuar procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, por edhe u ka krijuar mundësi arsyetimi të pafundme vonesave për pagesat e 20 përqindëshit, pagesat e rrogave të punëtorëve nga ndërmarrjet e menaxhuara nga AKP, e shumë e shumë arsye për pritje të tjera të pafundme të axhës Binak dhe moshatarëve të tij, pritje që po ua rëndojnë vitet e fundit të jetës.
Gjatë gjithë kësaj kohe axhës Binak si refren i është përsëritur mungesa e bordit. Mungesa e bordit që kishte ardhur si pasojë e një vrasje apo vetëvrasje. Mungesa e bordit që kishte ardhur si pasojë e zgjedhjeve. Pastaj si pasojë e bllokut, pastaj si pasojë e pretendentit për kryeministër. Pastaj për kryeparlamentar. Pastaj për shkak të Kushtetutës. Pastaj për shkak të pamundësisë se dy partive në koalicion, pastaj për shkak të gazit lotsjellës. Pastaj…
Derisa një ditë, dy partitë në pushtet në përplasje me opozitën dhe me njëra tjetrën dhanë lajmin: bordi u kompletua me kuadrot më të mirë të të dy partive.
Për axhën Binak ky ishte fundi i pritjes dhe interesimit për zhvillimet politike që shkaktonin një prej pritjeve më të mëdha të jetës së tij. Kjo fije shprese e kishte shtyrë që të telefononte në emisionin e mëngjesit që trajton ankesat dhe hallet e tij dhe të qytetarëve. “Deri sa te mblidhet Bordi nuk mund të të tregojmë se kur do të privatizohet”, ishte përgjigja që mori kësaj here axha Binak.
Pritja e tij do të vazhdojë. Ajo nuk është shuar. Vetëm ka ndërruar adresë. Prej atij të Kuvendit tek ai i AKP-së.
Kur ishte më i ri axha Binak e kishte kundërshtuar privatizimin që tash po e pret si zgjidhjen e fundit. Atëherë kur UNMIK-u e bënte privatizimin kishte marrë pjesë edhe në një protestë ku kërkonte që ndërmarrja të ringjallet dhe ky të rikthehet në punë. Por koha e ka bërë të veten. Tash kur ligështimi i trupit po e vështirëson çdo ditë, ka pritje shumë më të vogël. Pritje që po e mban peng.
Pritjet e axhës Binak kanë ndryshuar prej kohës kur ka shkuar UNMIK-u. Në fakt kanë ndryshuar pritjet e gjithë shoqërisë kosovare. Njëjtë sikur axhës Binak që nuk e ka më entuziazmin se ndërmarrja mund të ringjallet dhe ky të kthehet në punë, edhe neve të tjerëve na ka humbur entuziazmi dhe pritja për shumë gjëra që na dukeshin të arrira atëherë kur shkoi UNMIK-u dhe u shpall pavarësia.
Gjërat kanë ndryshuar por një gjë ka mbetur esenciale. Asnjëherë nuk kemi arritur që të merremi më pritjet tona, me kreditë, faturat, mungesën e shërbimit, mungesën e besimit që të ofron shteti, sepse kemi mbetur peng. Peng i një grupi të paaftësh në politikë që në pritjen tonë na argëtojnë me lloj-lloj krizash e dialogësh të proceseve historike. Sepse janë të paaftë të ofrojnë konkreten që kërkon qytetari. Ata i mban në këmbë vetëm historia dhe proceset historike. Me kwtw arsyetojnë paaftësinë e tyre. Sepse janë proceset historike ato që bëjnë që ne të heqim dorë nga pritshmëria dhe të presim. E pritja na mban peng.
Një departament në dukje i vogël për kah numri mund të jetësohet nëse shtete mike nuk vendosin gjithë përpjekjen e tyre që ta ndalin në komitetin e pestë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky komitet është edhe mundësia e fundit që të ndalet fuqizimi i UNMIK-ut.
Departamenti për sundimin e ligjit dhe shërbime korrektuese do të na shfaqet si një mekanizëm që nuk ka kurrfarë kompetence dhe që do të jetë këtu për të ndihmuar, por në fakt është dëshmia e rikthimit të UNMIK-ut. UNMIK-u që me ekzistencën e tij na tregon se nuk kanë ndryshuar gjërat prej kur e kemi shpallur pavarësinë. Ka gjasë që ta arsyetojnë me Gjykatën Speciale, një tjetër mekanizëm historik që do na mbaj peng për disa vite.
Mekanizmi pritet që natyrshëm të afrohet me gjykatat në lokalitetet me shumicë serbe në Kosovë, Kësisoj gjykatat që dikur ishin të Serbisë dhe nuk e njihnin Republikës por bashkëpunonin me EULEX-in, do të bëhen gjykata të komunitetit serb që sërish nuk e njohin Republikën dhe bashkëpunojnë drejtpërdrejtë me departamentin e UNMIK-ut. Atëherë do të kuptojmë se paralelizmi që na ka mbajtur peng nuk është zhdukur, veç se ka ndryshuar adresë. Prej atij me Serbinë ka kaluar në atë me komunitetin serb.
Atëherë Serbia, do të heq edhe pengun e fundit që i ka mbetur në ecjen drejt BE-së e që janë institucionet ilegale në Kosovë.
Ne do të mbesin peng i proceseve të reja historike, me historinë që na përsëritet.
(Autori është drejtor programi në RTV “Dukagjini”)